E Shtunë, 31 Tetor 2026

Informaliteti i pronave, nuk mblidhet taksa mbi pasurinë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 21-01-2011 11:52

Ministria e Financave ankohet për shkak të nivelit të lartë të informalitetit, ka mjaft vështirësi në vlerësimin e bazës së taksueshme të pasurive, e cila paraqitet si taksa më problematike e buxhetit për vitin që shkoi.

Nga analiza të të ardhurave buxhetore që ka bërë Ministria e Financave për vitin 2010, rezulton se, taksa mbi pasurinë të jetë më problematikja e taksave të tjera, që sigurojnë të ardhurat e buxhetit të shtetit. Situata e pranuar nga Ministria e Financave tregon për gati një dështim në këtë drejtim. Për vitin që shkoi, të ardhurat nga taksat mbi pasurinë arrijnë pak më shumë se 1.7 miliardë lekë. Ekspertët në financa shpjegojnë se, në Shqipëri ky grup taksash zë vetëm 0.71 për qind, kundrejt 6 për qind që është mesatarja e vendeve të OSBE. “Për nivelin ende të lartë të informalitetit, ka mjaft vështirësi në vlerësimin e bazës së taksueshme, për arsye të mangësive në deklarimin real të pasurive”, sqaron Ministria e Financave në analizën e saj. Në fakt, ekspertët në financa ja fluturojnë rendimentin e ulët në këtë taksë problematikës që shoqëron tregun e pronave në vendin tonë. Për shkak se, shumë prej ndërtesave janë informale dhe të paregjistruara në hipotekë dhe për to nuk paguhen taksat në momentin e shitblerjes. Ndërkohë që tatimorët nuk kanë referenca dhe mjete të mbledhin taksën e shitjes së banesave. Gjithashtu tregu i tokave, jo shumë i qartë, krijon një problematikë tjetër për vjeljen e taksave në këtë fushë, pasi në të shumtën e rasteve pronësia nuk është e saktësuar. Në taksën e pasurisë, Ministria e Financave përfshin tatimin mbi ndërtesat, mbi tokën bujqësore dhe taksën e kalimit të pasurisë së paluajtshme. “Është prej kohësh një pjesë problematike e sistemit tatimor, për sa i takon të ardhurave të mbledhura kundrejt të ardhurave potenciale që mund të mblidhen nga pasuria e paluajtshme”, cilëson Ministria e Financave në analizën e saj, mbi realizimin e të ardhurave gjatë vitit që shkoi. Administrimi dhe grumbullimi i taksës mbi pasurinë rezulton të jetë përgjithësisht efektiv, përsa i përket bizneseve, institucioneve dhe organizatave, dhe ndjek të njëjtën tendencë në arritjen e nivelit të parashikuar të të ardhurave me taksat dhe tarifat e tjera të aplikueshme nga njësitë vendore (tarifat e pastrimit, gjelbërimit, ndriçimit). Ndërkohë, që po sipas Ministrisë së Financave, eksperienca nuk është e njëjtë për kategorinë “Familjare” të taksapaguesve. Këtu tendenca në grumbullimin e kësaj takse është e ulët, dhe njësitë e qeverisjes vendore kanë mjaft probleme në administrim dhe në detyrimin për pagimin e taksës. Sistemi fiskal në pronat e paluajtshme dhe në pasuri në tërësi është në fillesa. Vetëm katër vite më parë janë vënë taksat e para në këtë drejtim, që përfshinë tokën bujqësore dhe taksën e kalimit të pronësisë së paluajtshme që është 10 %. Megjithëse legjislacioni është në hollin e zbatimit, rezultatet në të ardhura mbeten shumë të ulta. Në strategjinë fiskale për vitet në vijim, Ministria e Financave synon një përmirësim të legjislacionit në këtë drejtim, duke parashikuar edhe taksa të reja dhe gjithashtu duke përmirësuar elementët operacional për mbledhjen e këtyre taksave. Përmirësim në vitet në vazhdim pritet të japë edhe procesi i legalizimit, i cili do të formalizojë mijëra ndërtime pa leje, të cilat aktualisht shiten e blihen pa paguar taksa.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›