Bode kursen 4 milionë euro nga pagat më 2010
Nga shpenzimet e planifikuara për paga, gjatë vitin që shkoi, janë kursyer 490 milionë lekë ose rreth 4 milionë euro. Sipas analizës së shpenzimeve buxhetore, të vitit që shkoi, shpenzimet për paga janë rreth 490 milionë lekë më pak se parashikimi i periudhës. Por në krahasim me një vit më parë, janë shpenzuar rreth 28 milionë euro më shumë, ose rreth 6.4 për qind më shumë se një vit më parë, ndërkohë që shpenzimet për sigurimet shoqërore janë rreth 190 milionë lekë më pak, ose rreth 2.3 për qind më të ulta, se një vit më parë. Këto kursimeve, sipas ekspertëve në Ministrinë e Financave, kanë ardhur për shkak të racionalizimit dhe administrimit që ju bë fondit të pagave gjatë këtij viti. Ministria e Financave, nëpërmjet udhëzimeve të posaçshme, që nxori gjatë vitit 2010, saktësoi se fondi i pagave nga Ministria e Financave disburësohej vetëm bazuar në listëpagesën që institucionet duhet të dorëzonin para çeljes së fondeve nga thesari. Një grup i posaçëm në Ministrinë e Financave merret në vazhdimësi me disiplinimin e fondit të pagave. Rezultati i punës lidhet me një nga propozimet që ka të bëjë me përfshirjen e numrit të punonjësve për çdo ministri dhe institucion qëndror në ligjin e buxhetit të vitit 2011. Ndërsa, qeveria do të përfshijë në reformë shpenzimet e personelit që kanë lidhje me pagat. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë do të bëhet për t’i vënë fre abuzimeve me fondin e pagave, që buxheti vë në dispozicion të institucioneve. Sipas dikasterit të Bodes, analiza e grupeve kryesore të shpenzimeve ka konkluduar në faktin se, pas reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve në zërat e tjerë si, ato administrativë, subvencione etj, kosto e personelit duhet t’i nënshtrohet një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Sipas Ministrisë së Financave, shpenzimet e personelit për vitin 2011, bazuar në një politikë konstante në numrin e punonjësve buxhetore për vitin 2010 e në vazhdim, si dhe në një politikë të kujdesshme të rritjes së pagave, parashikohen të jenë në nivelin 5.2% të PBB.