E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dëshira Noka në Spitalin e Burgut, për ekspertizë psikike

20/05/2005  Prokuroria e Tiranës ka vendosur që, Dëshira Noka, e akuzuara për vrasjen dhe groposjen në oborrin e shtëpisë të burrit të saj, Avdi Nokës, t’i nënshtrohet një ekspertize mjeko-ligjore për gjendjen e saj psikike. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë organit të akuzës së kryeqytetit, të cilat sqaruan se nga hetimet e deritanishme dyshohet që Dëshira Noka të ketë pësuar devijacione të sjelljeve që para vrasjes së burrit të saj. Sipas Prokurorisë, nga dëshmitë e siguruara në cilësinë e provës deri tanimë, dyshohet që ajo herë pas here të ketë shfaqur shenja të dukshme agresiviteti, jashtë normales. Banorët e zonës në Laprakë, ku më parë ka banuar Dëshira Noka me familjen e saj, kanë pohuar para hetuesve se e akuzuara për vrasjen e bashkëshortit dilte shpeshherë rrugëve natën dhe qëllonte në ajër me breshëri automatiku, duke i terrorizuar. Gjithashtu, ajo akuzohet edhe për vrasjen e mbetur në tentativë të një çifti te Plepat në Durrës. Tjetër shkak është edhe mënyra e ekzekutimit të bashkëshortit të saj, të cilin e ka masakruar dhe e ka mbajtur të fshehur për gjashtë vjet në oborrin e shtëpisë, duke mos i treguar askujt. Këto veprime jo të zakonshme për një femër, kanë ngritur dyshime te hetuesit se Dëshira Noka mund të vuaj nga devijacione ekstreme të sjelljeve. Ato theksojnë se këto ditë ajo do të transferohet në Spitalin e Burgut, ku do t’i nështrohet ekspertizës mjeko-ligjore nga psikiatër, të cilët do të përcaktojnë nëse ka apo jo çrregullime mendore. Rreth një muaj më parë, në oborrin e një banese në Laprakë të Tiranës, u gjet i groposur pas gjashtë vitesh skeleti i Avdi Nokës, i konsideruar i zhdukur që prej dhjetorit të vitit 1999. Nga hetimet e policisë dhe të prokurorisë, rezultoi se kishte qenë bashkëshortja e tij, Dëshira Noka, e cila, pasi e kishte ekzekutuar, e kishte groposur më shumë se dy metra në dhe, në oborrin e shtëpisë së tyre. Ndërsa më pas shtëpinë e kishte lënë me qira dhe kishte kërcënuar tre fëmijët që të mos tregonin për vrasjen e babait të tyre. Ka qenë djali i madh, i cili është ndikuar edhe nga xhaxhai i tij, i cili ka treguar gjithë historinë e vrasjes së Avdi Nokës. E.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›