E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati Zef Nikaj: Veprimet procedurale të jashtëligjshme, klienti im person në hetim, jo i pandehur

Zef Nikaj, avokati i Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, ka refuzuar dje të firmosë materialet e dosjes hetimore, me akuzat e pretenduara për klientin e tij. Prokuroria e Përgjithshme, megjithëse gjykata i ka pezulluar çdo lloj veprimi me këtë dosje, i ka dërguar sërish ftesë avokatit të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, që të paraqitet në këtë institucion për të firmosur aktet e procedimit penal ndaj klientit të tij. Ftesa e firmosur nga prokurori Arben Kraja, i është dorëzuar disa ditë më parë mbrojtësit ligjor të Luzlim Bashës, Zef Nikajt. Ai e ftoi Nikajn të paraqitet ditën e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme për të firmosur mbi aktet e dosjes penale në ngarkim të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, pasi për shkak të përfundimit të afateve të hetimit do ta dorëzojë për gjykim në Gjykatën e Lartë.
Avokati Zef Nikaj, i ka konsideruar si të kundraligjshme veprimet procedurale të kryera nga organi qendror i akuzës.
Përfaqësuesi ligjor i mbrojtjes së Ministrit Lulzim Basha, Zef Nikaj u paraqit dje rreth mesditës në Prokurorinë e Përgjithshme, ku mësohet se nuk ka pranuar të firmosë aktet procedurale ndaj klientit të tij, të cilat I ka quajtur të jashtëligjshme. Midis të tjerave, avokati i Lulzim Bashës, nuk ka pranuar që klienti i tij Lulzim Basha ka statusin e të pandehurit, por atë të personit nën hetim.
Sipas pretendimeve të organit qendror të akuzës, Ministri Basha dyshohet se ka abuzuar me detyrën në ndërtimin e rrugës "Durrës- Kukës", në kohën kur ai ishte ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Të njëjtin qëndrim mbajti dy ditë më parë edhe avokati Genc Gjokutaj, i cili mbron ish-drejtorin Juridik në Ministrinë e Punëve Publike, Andi Toma, që dyshohet për abuzime me detyrën në çështjen e rrugës Durrës- Kukës.
Avokati Gjokutaj i paraqiti Prokurores së Përgjithshme Ina Rama një deklaratë memorie, ku e cilëson si të pavlefshme procedurën hetimore të Prokurorisë ndaj klientit të tij, Toma. Avokat Gjokutaj bëri të ditur mospjesëmarrjen e mbrojtjes në kryerjen e veprimeve procedurale, të cilat janë jashtë afateve hetimore dhe janë ndërprenë pak ditë më parë me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Ndërkohë, mësohet se dosja e rrugës Durrës - Kukës, ka mbërritur dje në Gjykatën e Lartë. Regjistrimi i dosjes Durrës - Kukës në Gjykatën e Lartë i jep fund zvarritjes së hetimeve nga Prokuroria e Përgjithshme....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›