E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flet për gazetën “55”, regjisori kosovar Burim Haliti

Fituesi i çmimit të parë për aktorin dhe kamerën më të mirë në edicionin e vitit të kaluar, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, Burim Haliti, prezantohet në edicionin e radhës me prodhimin që mban titullin “Intervista”. Regjisor, skenarist dhe montazher i filmit të mësipërm me metrazh të shkurtër, ai e ka realizuar xhirimin e tij gjatë kësaj vere. Ngjarja zhvillohet në 1995 më pushtimin e forcave serbe që hynë në Kosovë dhe kjo është një dramë që kalon në komedi nga pak, edhe nëpërmjet asaj do të thotë se një kryetar mundohet të japi një intervistë për një gazetë angleze dhe bën të pamundurën.

Është hera e dytë që ju merrni pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit që zhvillohet në Tiranë. Fillimisht diçka rreth filmit me të cilin paraqiteni këtë vit?

Po është e vërtetë. Ne jemi prezantuar dhe vitin e kaluar me filmin e titulluar “Hekurishte”dhe kemi fituar në këtë edicion vendin e parë për aktorin dhe kamerën më të mirë. Ndërkohë që, këtë vit do prezantohemi me një film që quhet “ Intervista” dhe që njëkohësisht është i vetmi film që konkurron nga Kosova. Ngjarja zhvillohet në 1995 më pushtimin e forcave serbe që hynë në Kosovë dhe kjo është një dramë që kalon në komedi nga pak, edhe nëpërmjet asaj do të thotë se një kryetar mundohet të japi një intervistë për një gazetë angleze dhe bën të pamundurën. Ky është edhe pak a shumë skenari i filmit.

Cila është risia që do të sillni këtë vit dhe diçka në lidhje me zgjedhjen e tematikës?

Që në fillim dua të theksoj se unë zgjedh tema që kanë të bëjnë me shoqërinë shqiptare, sidomos tema nga Kosova. Aty ka gjëra që na kanë preokupuar më herët dhe janë pikërisht ato gjëra që na preokupojnë që mundohemi t`i pasqyrojmë t`i trajtojmë edhe në filmat e shkurtër. Kur kam qenë student jam munduar t`i përshtatem realitetit për atë çfarë ka ndodhur dhe atë çka ndodh tani. Përsa i përket tematikës mund të them se është më shumë sociale dhe politike, sepse ka qenë koha e okupimit serb dhe njerëzit nuk kanë pas mundësi të dalin jashtë Kosovës. Kjo është ajo që konkretisht shtjellohet në film.

Çfarë mendimi keni për Festivalin e Filmit që zhvillohet në Tiranë ?

Si e përmenda edhe më sipër është hera e dytë që marr pjesë në këtë festival. Vitin e kaluar kemi pasur përshtypje shumë të mira pasi na kanë pritur me dashuri dhe mirësjellje nga i gjithë stafi, organizatorët, drejtori, pra nga të gjithë na është rezervuar një pritje shumë e mirë. Për nga ana artistike filmat e prezantuar ishin të arrirë dhe mjaft cilësorë.

Po për filmat që prezantohen aty çfarë mendimi keni?

Me thënë të drejtën ne sa kemi ardhur dhe nuk i kemi parë ende filmat që do marrin pjesë por në pamje të parë, vizualisht nuk ka ndonjë ndryshim si nga viti i kaluar. Kualitetin e filmave nuk e kemi parë ende. Duke parë filmat, do shohim ndryshimin, kualitetin, por besoj se do të jetë pozitiv sepse çdo herë njeriu mëson nga gabimet e mëparshme dhe i përmirëson ato.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›