E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon pas sajesave të PS-së, Kancelari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës Ilir Sauli

“Kancelar jam zgjedhur që nga koha e PS-së, shorti prej pesë vitesh hidhet në mënyrë elektronike”

Kancelari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ka hedhur poshtë pretendimet e PS-së, për sa i përket shortit të hedhur për shqyrtimin e ankesës së Ministrit të jashtëm Luzim Basha. Ilir Sauli, kancelari i kësaj gjykate, ka bërë ët ditur se, shorti për gjyqtarët hidhet në mënyrë elektronike që prej vitit 2002 dhe se ai nuk bënë asgjë më shumës përcjelljen e praktikës te gjyqtari përkatës. Nga ana tjetër, Ilir Sauli ka kujtuar se në këtë detyrë ka pesë vjet dhe është një zgjedhje e kohës së qeverisjes së PS-së, duke zhvlerësuar shpifjen e Ylli Manjanit, sipas të cilit kancelari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës është i zgjedhur nga Ministri i Drejtësisë.

Shorti dhe kancelari
“Shorti për çështje penale dhe civile në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë hidhet në mënyrë elektronike, pra caktimi i gjyqtarëve bëhet me anë të një programi kompjuterik, i cili nuk bën asnjë dallim mes gjyqtarëve të dhomës penale kur çështja është penale dhe mes gjyqtarëve të dhomës civile kur çështja është civile. Kancelari i gjykatës nuk bën asgjë tjetër përveçse bën përcjelljen e praktikës tek gjyqtari përkatës sipas rezultateve të shortit. Programi ARK IT është iniciuar nga fondacioni SOROS si dhe në vazhdimësi është financuar nga USAID dhe aplikohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë si dhe në disa gjykata të Republikës që prej vitit 2002”, ka deklaruar dje Kancelari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, Ilir Sauli.
Më tej Sauli ka sqaruar se në bazë të Ligjit Nr .9877, datë 18. 02. 2008, “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, Neni 9 parashikon që ndarja e çështjeve gjyqësore bëhet me short, sipas procedurave të caktuara me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa kancelari në bazë të Nenit 38 të këtij ligji mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar.
“Pra as praktikisht as teorikisht jo vetëm kancelari por asnjë punonjës i administratës gjyqësore nuk mund të ndërhyjë në procesin elektronik të hedhjes së shortit”, ka deklaruar më tej Kancelari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës.

Parimet e shortit
Ilir Sauli, ka bërë ët ditur dje më pas, se ai ka në këtë detyrë pesë vjet dhe gjatë kësaj kohe është aplikuar shorti elektronik. Ai ka shpjeguar edhe parimet e hedhjes së shortit
“Prej pothuajse pesë vitesh që unë punoj në detyrën e kancelarit, shorti është hedhur në mënyrë elektronike dhe kjo mënyrë ka hequr përfundimisht të gjitha dyshimet e mundshme që kanë ekzistuar më parë për manipulimin e shortit duke siguruar transparencën e plotë të tij. Parimet për hedhjen e shortit janë: Baza e objektit; Ngarkesa totale e çështjeve në gjykim të gjyqtarëve që nga fillimi i vitit; Ngarkesa aktuale e çështjeve që kanë në gjykim gjyqtarët”.
Kancelari i gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ka hedhur poshtë edhe sajesën tjetër të Ylli Manjanit, për sa i përket pretendimit të tij për shqyrtimin e çështjeve të ndryshme për të njëjtën dosje, të shqyrtohet nga i njëjti gjyqtar.
“Lidhur me hedhjen në short të kërkesave të bëra nga prokuroria ose nga pala mbrojtëse nuk evidentohet fakti që kërkesat e bëra të jenë brenda një hetimi të zhvilluar për një çështje të caktuar, si dhe duke qenë nën hetim shumë persona të lidhur në një çështje, nuk mund të evidentohet kalimi i këtyre çështjeve të njëjtit gjyqtar sipas Nenit 278/2 të Kodi i Procedurës Penale. Të gjitha kërkesat që paraqiten në sportelet e gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë pranë kryesekretarisë duhet të regjistrohen dhe të përgatiten për short prej administratës gjyqësore, dhe në të tilla raste nuk është administrata gjyqësore e cila vendos për kalimin e çështjeve pranë të njëjtit gjyqtar, por duhet t’i kërkohet gjyqtarit të cilit i ka kaluar çështja për shqyrtim prej përfaqësuesit të prokurorisë ose palës mbrojtëse, në se ai është kompetent apo jo. Në këto kushte i takon gjyqtarit të vendosë mbi shqyrtimin e kësaj kërkese. Gjykata shprehet me vendim që nuk mund të komentohet nga askush për asnjë shkak”, është shprehur Sauli....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›