E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati amerikan:Si i ndihmoj emigrantët shqiptarë

 

tirane

John Assadi është një avokat i njohur amerikan, i specializuar në përfaqësimin e punëmarrësve të huaj të korporatave të rëndësishme ndërkombëtare, artistëve të njohur ndërkombëtarë, shkencëtarëve, dhe sportistëve profesionistë. Lista e klientëve të tij përfshin: Fondacionin Soros; Federatën e Futbollit të SHBA-së; Columbia Artist Managegement, Inc.; Albert Einstein Medical Center dhe Rainforest Foundation.  Ai ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare, për kontributin e tij, në përfaqësimin e disa artistëve kinezë, të cilët ndodheshin në bordin e anijes Golden Venture ship. Përfaqësimi prej tij u mundësoi atyre të drejtën e qëndrimit të përhershëm në SHBA, si artistë me aftësi të veçanta. Në listën e artistëve  të tjerë të shquar ndërkombëtarë, të përfaqësuar prej tij, bëjnë pjesë Sting dhe Gilberto Gil. Në intervistën e tij për gazetën “Panorama” ai sqaron një pjesë të mirë të çështjeve  të emigracionit e mbi të gjitha përzgjedhjen e klientëve shqiptarë.
Është diçka jo e zakonshme që një avokat amerikan të fokusohet në përfaqësimin e klientëve shqiptarë. Si e shpjegoni interesimin tuaj në përfaqësimin e shqiptarëve pranë autoriteteve të emigracionit në SHBA?
Duke falënderuar gazetën tuaj tepër prestigjoze “Panorama”, për mundësinë e veçantë që po më ofron, në këtë komunikim me qytetarët shqiptarë, nëpërmjet kësaj interviste, më lejoni të theksoj se, në fakt, ky nuk është kontakti im i parë me shqiptarët. Unë kam pasur fatin të përfaqësoj disa prej tyre, këtu në SHBA, lidhur me çështjet e emigracionit. Sinqerisht, mund t’ju them se, jam impresionuar prej nivelit intelektual, aftësive profesionale dhe mirësjelljes së tyre. Informacioni i marrë prej këtyre klientëve shqiptarë më ndihmoi të kuptoj se, në këtë vend, ka një numër të madh individësh, me arritje të shquara individuale, të cilët mund të dëshirojnë të jetojnë në SHBA, me qëllimin për të pasur arritje edhe më të larta në karrierën e tyre.
A mund të na shpjegoni se kujt po i referoheni konkretisht?
Paraprakisht më lejoni t’ju them se, sikurse shumë prej bashkëatdhetarëve tuaj tashmë e dinë, unë jam i mirënjohur në rrethet ligjore amerikane, për përfaqësimin e individëve me aftësi të veçanta. Individë me aftësi të veçanta, sipas legjislacionit amerikan, konsiderohet kushdo, që ndodhet në nivelet më të larta në fushën e vet, pothuajse në të gjitha profesionet si p.sh art, sport, muzikë, shkencë, biznes, etj. Këta individë kanë të drejtë të aplikojnë dhe, të marrin lejen e qëndrimit të përhershëm në SHBA [green card]. Sigurisht, unë këtu jam duke e thjeshtuar procesin, por, në pak fjalë, e gjithë kjo mund të përmblidhet: Ç’do qytetar shqiptar, i suksesshëm në fushën e vet, mund të kualifikohet për marrjen e green card, bazuar vetëm në arritjet e realizuara në Shqipëri. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme – këto arritje nuk është e thënë të jenë në nivel ndërkombëtar!  Në rastin konkret, do të mjaftonte që aplikuesi të ishte në nivele të larta në fushën e vet të veprimtarisë në Shqipëri.
Kjo duket vërtet shumë interesante. Si është e mundur që deri tani njerëzit nuk kanë dijeni rreth kësaj mundësie?
Ligji i veçantë për Individët me Aftësi të Veçanta është në fuqi për më shumë se 10 vjet por, madje edhe shumë avokatë në SHBA, nuk i kanë kushtuar vëmendje të veçantë. Unë jam nga avokatët e parë që jam specializuar në këtë procedurë, duke arritur sukses të dukshëm me aplikantë nga më shumë se 30 vende të botës. Një nga rastet më të bujshme të kësaj kategorie ka qenë përfaqësimi prej meje i 30 emigrantëve kinezë, për të cilët, si përfaqësues i tyre ligjor, kam arritur të siguroj lejet e qëndrimit, për shkak të aftësive të veçanta të tyre, si artistë, edhe pse ata qëndronin të burgosur, si emigrantë të paligjshëm, gjatë shqyrtimit të çështjes. Një gjë e tillë tërhoqi vëmendjen e medias ndërkombëtare për një kohë të gjatë.  
 A nevojitet një sponsor, në këtë rast, për të marrë green card për qëndrim në SHBA?
Jo aspak. Ky është një rast i veçantë i ligjit të emigracionit, ku një person mund të vetë sponsorizohet, pa pasur nevojë për ofertë punësimi në SHBA apo për mbështetjen e ndonjë kompanie Amerikane. Në fakt, individi përfiton green card thjesht sepse ai provon kualifikimin e vet. Sigurisht që, sikurse përmenda më sipër, kjo i dallon aplikuesit në këtë rast nga emigrantët e zakonshëm, të cilët kanë nevojë për sponsor të tillë. Në thelb, nëpërmjet një procedure të tillë, leja e qëndrimit të përhershëm ofrohet për të tërhequr individë shumë të kualifikuar, për të vazhduar karrierën e tyre të mëtejshme në SHBA.
Pse zgjodhët Shqipërinë?
Sikurse përmenda më sipër, shtysa e parë ka ardhur prej impresionit personal të veçantë, që unë kam pasur nga klientët shqiptarë, të cilët i kam përfaqësuar këtu në SHBA. Këto njohje më kanë ndihmuar të krijoj bindjen se, Shqipëria, fatkeqësisht, ende nuk njihet në botë për talentet e saj, kryesisht edhe për shkak të fokusimit të medias ndërkombëtare, më së shumti, në aspektet negative të vendit. Për të gjitha arsyet e renditura më sipër, besoj se, kjo iniciativë, është një mundësi shumë e mirë, për të nxjerrë në pah një anë tjetër të vendit tuaj, por edhe për t’u dhënë një mundësi të papërsëritshme talenteve, për të ndërtuar karrierën dhe ëndrrat e tyre në SHBA.
A mund të na jepni një informacion paraprak se si mund të aplikojnë personat e interesuar?
Me qëllim që të asistojmë direkt nga Shqipëria personat e mundshëm, të interesuar në këtë projekt, unë vendosa, që në bashkëpunim me një koleg shqiptar, Avokatin Mustafa Muçi, të themelojmë në Tiranë studion ligjore “JOHN ASSADI & PARTNERS”, qëllimi i së cilës do të jetë të ofrojë asistencën e nevojshme juridike, mbi procedurat e aplikimit. Përfaqësuesit tanë në Tiranë do të ofrojnë konsulencën e nevojshme juridike, për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar dhe, do të përcjellin aplikimet e qytetarëve shqiptarë të interesuar në studion  ligjore Assadi & Milstein, që unë drejtoj këtu në New York, për të ndjekur procedurat përkatëse, pranë autoriteteve të emigracionit të SHBA, deri në lëshimin e lejes së përhershme të qëndrimit [green card]. Të gjithë të interesuarit mund të gjejnë informacion më të plotë pranë zyrës sonë në Tiranë, si edhe në adresat përkatëse në internet: www.johnassadipartners.com dhe www.assadimilstein.com.
Në përfundim, më lejoni t’ju them se ne, aktualisht, jemi duke vlerësuar aplikimet e para dhe, së shpejti, unë do të vizitoj Tiranën, për të kontaktuar të gjithë aplikuesit e mundshëm dhe, për t’ju përgjigjur interesimit të mëtejshëm të medias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›