Specialistët te banesat e dëmtuara
GRAMSH - Drejtues të prefekturës së Elbasanit si dhe Drejtori i Emergjencave civile në Ministrinë e Brendshme zbritën dje në fshatin Kale të komunës Kukër në Gramsh, për të inspektuar zonën pas rrëshqitjeve masive të dherave nga kodra. Me ta ishin dhe specialistë të Institutit të Gjeologjisë si dhe specialistët e prefekturës së Elbasanit. Gjatë takimit me banorët që kanë shtëpitë e dëmtuara dhe të tjerë që u larguan prej tyre nga frika e pasojave, u është premtuar se shumë shpjet do të gjendet zgjidhja për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme. Ndërsa banorët kanë kërkuar që të merren masa të menjëhershme nga ana e qeverisë dhe institucioneve të tjera, pasi nëse një gjë e tillë nuk do të bëhet ato do të rrezikojnë jetën e tyre. Pritet që Komuna Kukës, në bashkëpunim me zyrën e emergjencave civile në këtë qark të bëjnë përllogaritjet në lidhje me dëmet që janë shkaktuar nga rrëshqitje e dheut. Kjo zonë është ende e rrezikuar nga rrëshqitjet, për shkak të reshjeve që bien herë pas here. Specialistët e cilësojnë rrëshqitjen e dherave nga kodra mbi fshatin Kale, rrjedhojë e shpyllëzimit dhe e shirave që provokojnë shkëputjen e masiveve të buta. Si pasojë e rrëshqitjeve të ditëve të fundit, 2 shtëpi pësuan dëmtime, ndërsa 50 të tjera janë në rrezik, pasi janë ndërtuar në pjesën poshtë kodrës. a.k