Burrel, reagojnë metalurgët: Kromi ynë përpunohet në Rusi
BURREL - Vazhdojnë reagimet e konfederatës së sindikatave të Qarkut Dibër dhe ato të metalurgëve Burrel në lidhje me ndërprerjen e punës në uzinën e Ferrokromit. Akuzat janë të shumta, por ata ndalen në ndërprerjen e kontratës nga firma Ital-Krom në mënyrë të njëanshme, borxhet e shumta të firmës ndaj të tretëve, pagesën e metalurgëve me 50 për qind, detyrimet ndaj sigurimeve shoqërore etj. Kryetari i Këshillit Sindikal të Dibrës, Petrit Frangu tha se pronari i firmës konçesionare duhet të vihet para përgjegjësisë ligjore. Sipas tij, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të mundësojnë ngritjen e një grupi hetimor ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme duhet të nisë hetimet për vënien para ligjit të Mario Apolonit. Absurdi qëndron në faktin se kromi që nxirret në minierën e Bulqizës transportohet dhe përpunohet në Rusinë e largët, ndërkohë që metalurgjia shqiptare është kyçur padrejtësisht nga firmat fantazmë. Frangu deklaroi se ai dhe metalurgët e Burrelit do të protestojnë dhe do të flijohen në grevë urie, nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn për zgjidhjen e kërkesave të metalurgëve. Ata kanë pritur për disa muaj me radhë të ketë një zgjidhje për kërkesat e tyre, por mungesa e saj i detyron të ndërmarrin veprime ekstreme. h.p