E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni: Mbyllja e UNMIK, një betejë e fitueshme

 

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, e ka konsideruar absolutisht të fitueshme betejën e Kosovës për të mbyllur misionin UNMIK në Kosovë, tanimë që funksionon EULEX-i. Në një intervistë për një gazetë shqiptare në Nju Jork, “Illyria”, Hyseni tha se paraqitja e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit kishte si synim kryesor “institucionalizimin e kërkesës së Kosovës që UNMIK-u të përmbyllë mandatin e tij sa më shpejt që të jetë e mundur”. “Tani që EULEX-i po merr fuqi të plotë operacionale dhe funksionale, nuk ka nevojë për dy prani ndërkombëtare civile për shumë arsye”, tha ai duke shprehur bindjen, se beteja për të mbyllur UNMIK-un është “absolutisht e fitueshme” që në momentin që është bërë kërkesa. “Kosova është shtet i pavarur dhe ka një kushtetutë. Në bazë të kësaj Kushtetute, në Kosovë nuk mund të ketë asnjë lloj pranie pa vendimin e institucioneve sovrane të Kosovës”, tha Hyseni, duke shtuar se, “edhe EULEX-i ndodhet sot në Kosovë në bazë të ftesave speciale që Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, i ka bërë Komisionit Evropian të BE-së, në 17 shkurt 2008 dhe pastaj e ka përsëritur atë më 8 gusht”. Hyseni ka mbrojtur funksionimin e misionit EULEX në Kosovë, duke e vlerësuar atë si në përputhje me të gjitha ligjet që funksionojnë në Kosovë. “EULEX-i ka ardhur në bazë të ftesës zyrtare që i ka bërë Kosova dhe mandati i tij buron nga katër dokumente të rëndësishme juridike, Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës, Pakoja e Ahtisarit dhe gjithsesi dy ftesat që u kemi bërë”, theksoi Hyseni. Ndërsa për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Hyseni tha se ky ishte një rast i mirë për të prezantuar arritjet e Kosovës ndërmjet dy mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit që i kushtoheshin Kosovës, por edhe për të shpalosur veprimet që po bën Kosova në procesin e shtet-formimit. “Gjatë kësaj periudhe, Kosova ka ngritur tri institucione që janë themelore për çdo shtet. Është ngritur Ministria e Mbrojtjes bashkë me Forcën e Sigurisë, është emëruar edhe ministri; është krijuar Këshilli i Sigurisë së Kosovës, të cilin e kryeson kryeministri dhe së fundi, ka hyrë në funksion edhe Shërbimi i Inteligjencës të Republikës së Kosovës dhe është emëruar drejtori i tij”, tha ai duke komentuar se këto tre momente përgënjeshtrojnë qartësisht pretendimet e Rusisë dhe Serbisë, se Kosova nuk është shtet dhe se pavarësia është fiktive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›