Oraret e trenave, përplasen drejtuesit e Hekurudhës
SHKODER / RIDVAN DIBRA
“Të rikthehet treni i mesditës në linjën Tiranë-Shkodër. Studentët dhe ata që nuk kanë mundësi financiare e shohin si të vetmin mjet për të udhëtuar drejt veriut”. Një vendim i fundit i Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave ka detyruar kreun rajonal në Shkodër të reagojë. Sipas Tonin Trupës, jo vetëm që nuk ka zvogëlim të ardhurash prej udhëtarësh, por ka dhe ankesa të shumta nga qytetarët. Në emër të tyre, Trupa kërkon rikthimin e lëvizjes së trenit të drekës, i hequr prej disa javësh. Sipas Trupës, drejtuesit e hekurudhave shqiptare duhet të tregohen më të matur me vendimet e shpeshta të vendosjes dhe heqjes së trenit të drekës në Shkodër, pasi këto vendime nuk shpien në zhvillim të sistemit hekurudhor, por në kolaps të tij. Vendimi më i fundit, sipas drejtorit Trupa, jo vetëm që është i përsëritur, jo vetëm që nuk sjell avantazhe, por vetëm penalizon Shkodrën. Gjatë një prononcimi për “Panoramën”, Trupa ka kërkuar ndryshimin e vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave dhe rivënien në funksionim të kësaj linje, që është e njohur si arteria kryesore e veriut të vendit. Vendimi i DPH-së është justifikuar me masat e ndërmarra në drejtim të zvogëlimit të humbjeve në sistemin hekurudhor. Por masa e marrë për një arsye të tillë është komentuar nga drejtori Trupa si e pamenduar dhe e pallogaritur mirë. Sipas Trupës, hekurudha shqiptare i zgjidh problemet financiare jo duke hequr një tren nga qarkullimi. Kjo, pasi treni i drekës ka fluksin më të madh në krahasim me oraret e tjera. Në bazë të statistikave të Drejtorisë së Hekurudhës Shkodër, në linjën Shkodër-Tiranë kanë lëvizur në ditë rreth 230 persona, ndaj heqja nga qarkullimi i një linje treni që ka të ardhura shumë të kënaqshme është e pamenduar mirë. “Gjatë këtyre ditëve kemi pasur shumë pakënaqësi dhe reagime nga grupe qytetarësh që trenin e kanë pasur mjetin kryesor të lëvizjes së tyre. Në emër të tyre unë po u kërkoj drejtuesve të mi që të rishikojnë vendimin, pasi është absurd”, pohoi Trupa. “Nëse nuk rishikohet ky vendim, për ne del edhe një problem tjetër shumë i rëndësishëm: shkurtimi i vendeve të punës. Heqja e një treni do të thotë edhe largim të punonjësve nga puna, pasi nuk do të ketë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar pagesat e punonjësve”, vuri në dukje Trupa. Ai kërkon nga Drejtoria e Përgjithshme të merren vendime pas konsultimeve me degët rajonale, për të arritur që në fund të prononcimit të tij Drejtori i Drejtorisë rajonale të hekurudhave Shkodër, Tonin Trupa ka kërkuar që Drejtoria e Përgjithshme e hekurudhave të konsultohet më parë me Drejtorinë e Shkodrës për të gjitha ndryshimet që mendohen të realizohen. Vetëm me një bashkëpunim të mirë mes drejtorive do të arrihet në zgjidhje pozitive, përfundon drejtori Trupa.