E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesmeni i rremë, mashtrim me bamirësi

 

TIRANE

Biznesmeni “i rremë” i konsideruar “mashtrues” nga gjashtë denoncime të paraqitura në Prokurorinë e Tiranës, është larguar nga Shqipëria në drejtim të Turqisë. Indrit Aliu, i akuzuar për ‘mashtrim me pasoja të rënda” sipas Prokurorisë ka përfituar 3 milionë euro dhe është zhdukur pa lënë gjurmë. Të dhënat më të fundit tregojnë se ai ndodhet në Turqi, një shtet në të cilin biznesmeni nga Vlora ka udhëtuar edhe më parë, madje para se t’i hynte botës së biznesit në Tiranë. Prokuroria shqiptare e cila është vënë në lëvizje nga gjashtë denoncime biznesmenësh dhe kompanish të mëdha biznesi, që janë mashtruar nga Indrit Aliu, ka filluar hetimet madje ka shpallur në kërkim të dyshuarin. Pak ditë më parë, Gjykata autorizoi një kontroll në zyrat e bizneseve të Indrit Aliut por një pjesë e tyre rezultuan fiktive. Nga të dhënat e siguruara dje nga gazeta “Panorama” rezulton se biznesmeni i denoncuar për mashtrim me shuma të mëdha kishte tentuar disa herë të kthehej në një personazh publik përmes dhurimit dhe mbështetjes së njerëzve në nevojë edhe përmes emisioneve televizive.
Kompjuterët e gazetarëve
Duke tentuar të binte publikisht në sy, në shkurt 2009 Indrit Aliu, mashtruesi i biznesmenëve, siç duket për të qenë më i besueshëm në kurthet që ngrinte, ka vendosur të organizojë një shou mediatik. Më 19 shkurt, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Unionin e Gazetarëve, ai ka premtuar dhurimin e disa kompjuterëve për këtë organizatë. Burime nga Unioni i Gazetarëve pohuan dje se Indrit Aliu, kishte kontaktuar me ta rreth një muaj më parë, gjatë një konference të zhvilluar në hotel “Sheraton”. Ata pohuan se Aliu ishte prezantuar me ta dhe u kishte thënë se fondacioni që ai drejtonte do i dhuronte disa kompjuterë unionit të gazetarëve. Pas kësaj ditën tjetër, përfaqësues të Unionit të Gazetarëve dhe Aliu kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë konferencës Aliu ka premtuar se kompjuterët dhuratë do t’ua dërgonte brenda pak ditësh, pasi sipas tij ndodheshin në një magazinë në periferi të kryeqytetit. Por ndryshe nga premtimi, ai ende nuk ua ka dhënë kompjuterët. Unioni i Gazetarëve pohoi dje se nuk mund ta quante mashtrim premt-imin, pasi kompjuterët ishin premtuar në formë dhurate dhe për këtë shkak nuk mund të quhej mashtrim mospërmbushja e premtimit.
Dalja në
emisionin e TV
Përfaqësues të emisionit “Më shumë dashuri” në televizionin kombëtar “Klan” pohojnë se Indrit Alliu ishte ofruar vetë në këtë eveniment dhe pikërisht në edicionin e datës 14 shkurt 2009. Ai kishte premtuar se do të ndihmonte financiarisht një person që kishte pësuar fatkeqësi. Gjatë emisionit biznesmeni në kërkim kishte marrë fjalën dhe kishte premtuar se do të jepte një ndihmë të konsiderueshme financiare, çka për fondacionin e tij ishte mjaft e lehtë të bëhej. Por ndryshe nga kjo, që nga momenti i emisionit ai nuk është bërë më i gjallë duke mos dërguar pranë “Tv Klan” as shumën e premtuar. Sipas përfaqësuesve të këtij emisioni, Aliu ishte vetëofruar dhe se ishte treguar i gatshëm për të financuar në këtë emision. Siç duket edhe në këtë rast, ai ka përdorur imazhin televiziv për t’u bërë i besueshëm publikisht, në mënyrë që ta kishte të lehtë futjen në kurth të biznesmenëve të shumtë, të cilëve u premtonte tenderë në fushën e ndërtimit të rrugëve. Të paktën gjatë emisionit televiziv, Aliu, i cili kishte përzgjedhur për këtë qëllim ditën e veçantë të 14 shkurtit, kur audienca ishte e lartë, ka marrë mikrofonin dhe publikisht ka premtuar se do të ndihmonte një nga personat në nevojë, objekt i emisionit.                            f.m

Gjashtë denoncimet VIP në polici për vjedhjet e mashtrimet e Indrit Aliut

TIRANE - Prokuroria e Tiranës, më 19 mars të këtij viti, ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të Indrit Aliut, akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda”, mbi denoncimin e bërë nga Bujar Nikolla, drejtues i firmës “D & B Alb Union” pas mashtrimit nga Aliu, administrator i firmës “Dejs & Partners Consulting”, në lidhje me një kontratë sipërmarrjeje për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e rrugës Sinanaj - diga e HEC Kalivaç, Komuna Lopës, Qarku Gjirokastër, me vlerë shtatë milionë euro. Më 21 janar, Aliu ka përfituar nga Nikolla një shumë prej 210 mijë euro, tre për qind të vlerës së kontratës. Dy muaj më vonë, firma ka ndërprerë punën pasi Aliu nuk i kishte shlyer shumën prej 1.4 milion euro, për punimet e kryera. Ndërkohë Aliu ka përfituar nga ata një shumë prej rreth 500 mijë euro. Po kështu ndaj Aliut kanë bërë denoncim Artan Mirdita, përfaqësuesi i kompanisë “Classic Volksëagen”, të cilët i ka mashtruar me gjoja blerjen e mjeteve duke u marrë vetëm njërin prej tyre dhe mos shlyer pagesën, ndërkohë që në këtë kompani nuk ka shlyer as qiranë e disa mjeteve që ka përdorur. Aliun e ka paditur edhe Alban Bitraj, administrator i shoqërisë “Bitraj 98”. Aliu i kishte premtuar ndërtimin e një rruge në komunën Bulgarec, Korçë, duke i marrë 2.5 milionë lekë “cash”, tre për qind të vlerës së tenderit. Po kështu ai kishte premtuar edhe ndërtimin e disa rrugëve në Librazhd. A. Bitraj i ka paguar shtetasit Indrit Aliu 3 % të vlerës së kontratës, pra shumën 2.500.000 lekë. Pagesa është bërë në cash dhe Indriti i ka lëshuar një mandat arkëtimi duke vërtetuar dhënien e lekëve dhe e ka vulosur me vulën e fondacionit. Më pas ai ka përfituar edhe tre shuma të tjera: 37 mijë euro, gjashtë milionë lekë, dhe 88 mijë euro.                            f.m

Banesa e deklaruar në dokumente është marrë me qira nga mashtruesi

TIRANE - Indrit Aliu, mashtruesi i biznesmenëve, i kishte marrë masat para se të niste serialin e tij të vjedhjeve inteligjente. Pasi kishte marrë një banesë me qira në rrugën “Don Bosko” tek ish-pallati i deputetëve, ka regjistruar kompaninë e tij fantazmë në atë adresë. Pas kësaj kishte marrë disa ambiente me qira pranë kryqëzimit të Zogut të Zi, kishte vendosur ambientet e shoqërisë së tij “Dejs & Partners Consulting”. Persona që kanë vizituar zyrat e kompanisë së Aliut pohojnë se ato ishin mobiluar me luks dhe se ai nuk ngurronte aspak të premtonte për të dhënë ndihma, ndërsa biznesmenëve u premtonte marrëveshje nënkontraktore, duke pretenduar se kishte fituar tenderë të ndryshëm në fushën e ndërtimit. Të paktën në vendimin e pak ditëve më parë, gjykata ka specifikuar se pranon kërkesën e Prokurorisë së kryeqytetit, duke lejuar kontrollin e zyrave të Aliut, në adresën e njohur: Rruga “Muhamet Gjollesha”, Pallati 37, ose i njohur ndryshe si Pallati Vëllezërit Kajtazi, kati i II–të, hyrja numër 2, Tiranë. Të paktën ky objekt është real, dhe se ka funksionuar për llogari të fondacionit fantazmë. Kjo vërtetohet nga personat e shumtë që kanë vizituar zyrat e Aliut në kohën e “lulëzimit” të aktivitetit të mashtrimeve.                   f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›