Vlorë, vjen denoncimi i dytë në Prokurori për Vasil Bollanon
VLORE - Një banor i Himarës denoncon në Prokurorinë e Vlorës kryebashkiakun Vasil Bollano. Ai është Kosta Andruco, një nga katër të shoqëruarit e së enjtes në polici, pasi kundërshtuan vijimin e punimeve të firmës që po merret me ndërtimin e rrugës nacionale Dhërmi–Sarandë. Sipas tij, projekti i rrugës për në plazhin e Potamit është devijuar me urdhër të Bollanos. “Projekti ka favorizuar një magazinë që të mos prishej dhe ka devijuar në bahçen time”, u shpreh ai. Në denoncimin e bërë në Prokurori, ai denoncon se më 26 mars 2009, në orën 08:00, në bahçen e banesës së tij ishin futur pa leje disa punëtorë. Pas debatit të bërë me ta, Andrucos i është komunikuar se kishin marrë urdhër nga kryetari i bashkisë për të filluar punimet për zgjerimin e rrugës. “Unë nuk kam qenë në dijeni të këtij fakti. U kërkova punëtorëve të largohen nga prona e trashëguar brez pas brezi. Por forcat e ndërhyrjes më tërhoqën zvarrë mua, bashkëshorten time dhe kunatën”, thuhet në kallëzimin e himariotit. Por dhunën e denoncuar prej e tij e mohoi dje policia. Sipas denoncuesit, projekti i rrugës është devijuar me urdhër të Bollanos për të favorizuar një tjetër shtetas, i cili ka ndërtuar një magazinë pa leje për aktivitet tregtar. Kjo magazinë është ndërtuar pjesërisht mbi rrugën ekzistuese, ku është projektuar zgjerimi i rrugës. “Si mund të fillojnë punimet për ndërtimin e një rruge, pa u shpronësuar më parë pronari i tokës? Ndërhyrja e dhunshme e forcave të rendit në dëmin tim dhe të familjes sime, është bërë me kërkesën e Kryetarit të Bashkisë”, tha Andruco ndërsa kërkoi ndjekjen penale të Bollanos për këto veprime të paligjshme. q.b