E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulku pa skuadër, largohet nga Krivbasi

 Ervin Bulku, mesfushori i Kombëtares shqiptare aktualisht është pa skuadër. Lojtari është lënë i lirë nga klubi ukrainas i Krivbasit dhe kjo është bërë e ditur nëpërmjet një deklarate zyrtare në websajtin e skuadrës. Ervin Bulku dhe katër futbollistë të tjerë të huaj janë lënë të lirë dhe sipas drejtuesve të skuadrës ukrainase gjithçka është zgjidhur me konsensus. Ervin Bulku mësohet se menjëherë pas vendimit të klubit është nisur drejt Shqipërisë dhe është vënë në lëvizje për të gjetur një ekip tjetër. Mesfushori synon që të luajë sërish në një skuadër të huaj, por nuk përjashtohet mundësia e rikthimit në kampionatin shqiptar, ku në pole-position mbetet gjithnjë ish-skuadra e tij Tirana. Klubi i Krivbasit gjatë muajve të fundit është zhytur në një krizë financiare dhe kjo shpesh herë është reflektuar edhe në rezultatet e dobëta të ekipit si dhe në përplasjet mes lojtarëve dhe drejtuesve. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar krerët e Krivbasit që të bëjnë disa përforcime të tjera. Skuadra ka afruar katër futbollistë të rinj, por kuptohet me rroga shumë më të ulëta nga ato që merrnin Ervin Bulku dhe futbollistët e tjerë të larguar nga ekipi. Te skuadra e Krivbasit aktivizohen edhe katër futbollistë të tjerë të kombëtares shqiptare. Bëhet fjalë për Isli Hidin, Ansi Agollin dhe Dorian Bylykbashin. Për këta të fundit, është thuajse i sigurt qëndrimi te kjo skuadër deri në fund të sezonit, por më pas mund të largohen sepse ekipi rrezikon seriozisht rënien nga kategoria për shkak të rezultateve të dobëta. Ndërkaq, sipas medias ukrainase përjashtohet mundësia që Ervin Bulku të kalojë te skuadra e Dnjepropetrovskit, klub të cilin e zotëron i njëjti pronar që ka edhe skuadron e Krivbasit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›