Avokati i Bashës: Prokuroria nuk zbatoi vendimin e gjykatës
TIRANE- Avokati i Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha i konsideroi dje të paligjshme të gjitha veprimet e Prokurorisë së Përgjithshme pas datës 6 nëntor 2008. “Kam pasur për t’u paraqitur në prokurori të premten në ora 11:00 por shkova 20 minuta para afatit, për shkak se nuk jam dakord me veprimet e Prokurorisë”, tha avokati Zef Nikaj. Ai sqaroi se i ka kundërshtuar veprimet e prokurorisë, duke i konsideruar të paligjshme, dhe për këtë shkak të premten ai ka dorëzuar një memorie kundërshtuese. “Gjykata e Tiranës ka pezulluar veprimet me vendim 18 nëntor 2008, gjykata ka ndërprerë çdo veprim me këtë çështje dhe pas datës së përcaktuar nga gjykata, që është 6 nëntori 2008, çdo veprim pas saj konsiderohet i paligjshëm. Prokuroria po vepron në shkele të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, duke i shkelur të drejtat klientit tim”, shtoi më tej avokati Zef Nikaj. Ai tha se rastësisht ishte vënë në dijeni për dërgimin e dosjes penale në Gjykatën e Lartë. “Siç duket Prokuroria e Përgjithshme e pa se kjo çështje i mbeti në derë dhe e dërgoi në gjyq me probleme ligjore. Ne do respektojmë çdo vendim të Gjykatës së Lartë. Kemi deklaruar se jemi për respektim të ligjit dhe vendimeve të ligjshme. I kërkojmë prokurorisë të respektojë vendimin e gjykatës, derisa kemi një vendim të gjykatës së faktit që ka ndërprerë hetimin, ku e merr forcën prokuroria që shkel ligjin dhe nuk e zbaton një vendim të tillë? Ne kemi besim se organet e drejtësisë do të vendosin, gjykatat kanë mbajtur qëndrime korrekte, Gjykata e Lartë ka njerëz që e njohin ligjin dhe që e zbatojnë atë”, deklaroi avokati mbrojtës i ministrit Lulzim Basha dje në edicionin e lajmeve në televizionin “Klan”.