Basha, Prokuroria s‘priti Apelin
Trazhgim Sokolaj
Procesi gjyqësor kundër Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, i pandehur për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë” në tendera, në dosjen Durrës-Kukës duket se ka hyrë në një situatë ligjore të pa precedent. Tri ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi dosjen në Gjykatën e Lartë, duke mos pritur vendimin e Gjykatës së Apelit të kërkuar nga vetë organi i akuzës. Më 21 nëntor 2008, Prokuroria e Përgjithshme iu drejtuar Gjykatës së Apelit në kryeqytet, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës të datës 18 nëntor të këtij viti. Me këtë vendim, Gjykata e Tiranës kishte limituar afatin e hetimit duke shpallur të pavlefshme provat e mbledhura pas datës 6 nëntor 2008, duke shfuqizuar vendimin e prokurorisë për shtyrjen e afatit të hetimeve, nga 6 nëntori deri më 6 dhjetor. Një vendim i tillë i Gjykatës së Tiranës u kundërshtua nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila u ankimua në Apel. Shkalla e Dytë e gjyqësorit pritet të shprehet javën e ardhshme për padinë e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme, por edhe kjo e fundit, autore e padisë në fjalë, nuk ka pritur përfundimin e saj. Në këtë mënyrë, dosja penale në ngarkim të ish-Ministrit të Transporteve Lulzim Basha dhe ish-drejtorit Juridik në të njëjtin dikaster, Andi Toma, u nis për në gjykatë vetëm 5 minuta para përfundimit të orarit zyrtar të premten e kësaj jave. Një veprim i tillë në këtë kohë, rrezikon të kthejë në padi pa objekt kërkesën që vetë Prokuroria e Përgjithshme ka bërë në Gjykatën e Apelit, e cila duhet të vendosë për afatet hetimore të një dosje, e cila tashmë ndodhet e regjistruar për gjykim në Gjykatën e Lartë, çka nënkupton se afatet hetimore kanë pushuar së ekzistuari. Megjithatë edhe në veprimin e saj për të nisur dosjen në gjyq, Prokuroria e Përgjithshme duket se ka qenë e kushtëzuar nga afati ligjor i hetimeve, për shkak se maksimumi i parashikuar nga legjislacioni shqiptar është dy vjet, ndërkohë që dosja penale ishte regjistruar më 9 mars 2007 në Prokurorinë e Tiranës dhe tashmë ishte duke mbërritur drejt afatit maksimal ligjor. Nga ana tjetër, mospjesëmarrja e avokatëve të dy zyrtarëve të pandehur në dosjen “Durrës-Kukës”, në aktin e mbylljes së hetimeve dhe nisjen e dosjes për gjykatë, si dhe në aktin e marrjes së dijenisë për aktet në dosje, rrezikon të kthehet në argument debati në Gjykatën e Lartë. Kjo për shkak se avokatët e Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, pretendojnë se klientët e tyre nuk janë njohur me veprime të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme jashtë afatit hetimor të dosjes “Durrës-Kukës”, fundin e të cilit e përcaktoi Gjykata e Tiranës duke caktuar datën 6 nëntor 2008. Nga ana tjetër një pjesë e rëndësishme e veprimeve të Prokurorisë dhe konkretisht ngritja e akuzës ndaj ish-Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, janë kryer pikërisht jashtë afatit hetimor të dosjes të përcaktuar në vendimin e Gjykatës së Tiranës, të firmosur nga gjyqtari Sokol Tona më 18 nëntor 2008. Por në këtë situatë të ndërlikuar, duket se klauzolat ligjore që mund t’i shërbejnë zgjidhjes së çështjes ngatërrohen akoma me padinë që po vazhdon të Gjykohet në Gjykatën e Tiranës. Avokati i Lulzim Bashës ka paditur Prokurorinë e Përgjithshme, duke kërkuar pavlefshmërinë e vendimit të saj për ngritjen e akuzës ndaj ministrit dhe thirrjen e tij në cilësinë e të pandehurit. Nëse Gjykata e Tiranës i konsideron këto veprime të paligjshme, atëherë fati i dosjes së mbërritur në Gjykatën e Lartë, ku i akuzuari kryesor është Ministri Basha, vihet në një dilemë serioze të paktën derisa vendimi të marrë formë të prerë çka kërkon kohë.
datat
`
9 mars 2007
Fillon hetimi për Andi Tomën, Armand Telitin dhe Lejla Saraçin në Prokurorinë e Tiranës
Shtator 2007
Dosja penale dërgohet në Prokurorinë e Përgjithshme për marrje autorizimi për hetime ndaj deputetit Lulzim Basha, merren të pandehur Andi Toma, Armand Teliti dhe Lejla Saraçi
15 shtator 2007
Prokuroria i kërkon Parlamentit heqjen e imunitetit të Luzlim Bashës
Tetor 2007
Pas autorizimit nga Parlamenti fillojnë hetimet ndaj ish-Ministrit të Transporteve Lulzim Basha
29 shtator 2008
Administrohet në dosje akt-ekspertimi për dëmin e shkaktuar shtetit në segmentin Rrëshen-Kalimash
6 nëntor 2008
Prokuroria shtyn afatin e hetimeve deri më 6 dhjetor 2008
18 nëntor 2008
Gjykata e Tiranës shfuqizon vendimin e Prokurorisë për shtyrjen e afatit të hetimeve
21 nëntor 2008
Prokuroria Ankimon në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Tiranës për shfuqizimin e shtyrjes së afatit të hetimeve
5 dhjetor 2008
Prokuroria dërgon në Gjykatën e Lartë dosjen penale ndaj ministrit Basha dhe Andi Tomës