E Diel, 1 Nëntor 2026

Oborri i Luanit

Edmond Tupja 

E di, lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, mund të vrasë mendjen kësaj radhe për të gjetur se për cilin Luan bëhet fjalë. Dhe me të drejtë: këtë emër njeriu që të kujton shtazën luan, të quajtur shpesh “mbreti i kafshëve”, e mbajnë shumë burra në Shqipërinë e sotme: Luan X, Luan Y, Luan Z etj., etj., disa prej të cilëve i njoh edhe unë, i vlerësoj e i kam miq, edhe në mos ndafsha gjithnjë të njëjtat mendime me ta. Ka nga këta Luanë që janë artistë, inxhinierë ose pedagogë, por ka që janë politikanë, një profesion ky i çuditshëm meqë tek ne ende nuk ekzistojnë shkolla që formojnë të tillë kuadro. Gjithsesi, rastis që këta Luanë të kenë shtëpi ose vila me oborr. Rrjedhimisht, shumëkush nga lexuesit kureshtarë mund të habitet me zgjedhjen time të sotme: të trajtoj diçka që u lidhka me oborrin e shtëpisë apo të vilës së aksh Luani, pavarësisht profesionit të tij të tanishëm, me ose pa diplomë universitare. Gjithsesi, që të mos e tjerr gjatë, titulli i shkrimit tim të sotëm do t’i dukej i kuptueshëm vetëm një kategorie lexuesish: atyre që i kanë lexuar fabulat e frëngut La Fontaine, shqipëruar nga mjeshtra të gjuhës shqipes si Naim Frashëri, Çajupi e Vedat Kokona, ndër të tjerë. Kuptohet që, nën penën e një fabulisti, i cili, në shekullin XVII, shprehej kryesisht nëpërmjet alegorisë, kafshët flasin e veprojnë si njerëz dhe, natyrisht, Luani simbolizon mbretin ose perandorin, pra, më të fuqishmin e sistemit politik mbizotërues të asaj kohe, monarkisë; këtej rrjedh edhe kuptimi i veçantë i fjalës “oborr”: rrethi i ngushtë i njerëzve të mbretit a të perandorit.
“Oborri i Luanit” është pikërisht titulli i njërës prej fabulave të La Fontaine-it shqipëruar mjeshtërisht nga Vedat Kokona. Për çfarë flitet në këtë fabul? – mund të pyesin ata që nuk e kanë lexuar. Ah, po, për pak harrova: flitet për mbretin Luan që kishte mbledhur disa prej oborrtarëve në pallatin e vet për t’u kërkuar llogari lidhur me një mision që u kishte besuar. Fatkeqësisht, ariu, si gjë e trashë, pa takt, që ishte, zuri hundët tek ndjeu erën e qelbur të pallatit; ky gjest e tërboi Luanin që iu kthye ariut dhe e la shakull në vend. Ndërkaq, lajkatari majmun nxitoi të pohonte se pallati kundërmonte erë myshk e trëndafil; Luani e goditi për vdekje këtë servil dhe kërkoi mendimin e zonjës dhelpër pikërisht për erën që vinte pallati i vet; dinakja e zgjuar i dha të vetmen përgjigje që mund t’i shpëtonte kokën: ishte me rrufë e nuk dinte ç’të thoshte! Fabula mbyllet me dy vargje që përmbledhin moralin e saj: “Doni që në Pallat t’ju kenë me sy të mirë? / Mos jini shumë servilë, as tepër shpirtdëlirë!”.
Kjo alegori, shumë e vlefshme për kohën, vendin dhe sidomos regjimin politik në të cilin u shkrua, më duket se e ruan ende aktualitetin e saj për epokën e sotme, pavarësisht llojit të regjimit politik në fuqi. Prandaj, do t’u sugjeroja pa asnjë prapamendim politikanëve tanë (ose politikaneve tona), të pozitës apo të opozitës, që ta lexojnë e rilexojnë shpesh këtë fabul dhe, veçanërisht kur kanë mbledhje me më të mëdhenjtë (ose më të mëdhajat) e Kuvendit, qeverisë apo partive përkatëse, të rrinë stoikisht në rryma ajri që t’i mbërthejë rrufa e të mos e ndiejnë erën që bie salla ku do të mblidhen me shefat (ose shefet) e tyre. Këtë ide ua shpreha një ditë edhe miqve të mi të vjetër Aqif Qifa, Françesk Armadhi e Vangjel Lezeti, të cilët qenë dakord me mua, duke shtuar njëzëri që, para mbledhjes, ata politikanë (ose ato politikane) që nuk kanë arritur të rrufosen, me gjithë përpjekjet e tyre të lavdërueshme ose të dëshpëruara në këtë drejtim, duhet, sidoqoftë, të venë parfume tejet kundërmuese (për meshkuj ose për femra, sipas seksit) në mënyrë që, kur shefat (ose shefet) e tyre t’u bëjnë pyetjen e Luanit, ata (ose ato) të jenë në gjendje t’u japin përgjigjen e Dhelprës duke ia hedhur fajin jo rrufës, por parfumeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›