E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitja me maska, kapet autori

 

TIRANE

Bie në prangat e policisë njëri nga dy personat e maskuar që grabitën me armë kazinonë “Apex”, nëntë ditë më parë në Kavajë. Klodian Xhemalaj, 23 vjeç, nga Berati u arrestua dje nga policia e Tiranës me akuzat e “vjedhjes me armë në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai akuzohet se mëngjesin e 29 nëntorit 2009, rreth orës 04:00 të mëngjesit ka hyrë bashkë me një person tjetër në sallën e lojërave të kazinosë “Apex” në Kavajë dhe nën kërcënimin e armëve ka grabitur rreth 800 mijë lekë të reja, që ndodheshin në arkën e këtij biznesi. Gjatë hetimeve për këtë ngjarje, policia ka zbuluar se bashkëpunëtori tjetër në grabitje ka qenë 31-vjeçari Marko Kumaraku, i cili sipas të dhënave zyrtare rezulton se pasi ka marrë pjesë në grabitjen e kazinosë është larguar jashtë vendit në drejtim të Greqisë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë së Tiranës, të cilat pohuan dje se kanë shpallur në kërkim grabitësin e arratisur ndërsa kanë vendosur në pranga autorin tjetër të ngjarjes, 23-vjeçarin Klodian Xhemalaj. Ky i fundit, sipas policisë, është person me precedentë penalë në kryerjen e krimeve të mëparshme si vjedhje, armëmbajtje pa leje dhe trafikim i lëndëve narkotike. Sipas të dhënave të policisë, i arrestuari Klodian Xhemalaj edhe më parë dyshohet se ka kryer grabitje me armë. Më 17 shtator 2007, rreth orës 23:00 ai ishte kapur në flagrancë nga policia e Beratit pasi dyshohej se ishte autor i grabitjes së 600 mijë lekëve në shtëpinë e një banori të fshatit Moravë. I dyshuari duket se ka vazhduar aktivitetin në fushën e grabitjeve, duke marrë pjesë në vjedhjen me armë dhe me maska të xhiros së kazinosë “Apex” nëntë ditë më parë në Kavajë. Hetimet tregojnë se kjo ngjarje ishte organizuar në mënyrë perfekte nga autorët të cilët pasi kanë përdorur armët dhe kanë marrë paratë, janë larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë tip “Mercedes Benz”. Ky automjet, disa orë pas grabitjes është gjetur i braktisur në qytetin e Lushnjës ku grabitësit mësohet se kanë marrë një tjetër makinë, me të cilën janë larguar për t’i shpëtuar ndjekjes nga policia. Hetuesit kanë dyshime se pasi kanë ndarë paratë e grabitura, autorët e ngjarjes janë ndarë më pas duke ndjekur drejtime të ndryshme lëvizjeje, në mënyrë që të vështirësonin ndjekjen e policisë për kapjen e tyre. Agjentët e krimeve kanë marrë informacione sipas të cilave autori i dytë i grabitjes së kazinosë, pak ditë më pas është larguar në drejtim të Greqisë për të humbur gjurmët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›