Fakulteti i Drejtësisë dhe Banka Botërore
Agron Alibali
Gjendja alarmante e ndërtesës së Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe protestat e studentëve, sjellin në vëmendje edhe dobishmërinë e punës dhe projekteve të Bankës Botërore në Shqipëri. Më 18 prill 2000, një marrëveshje kredie u nënshkrua midis qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për Projektin e Reformës Juridike dhe Gjyqësore. Kredia kishte vlerën për mbi 9 milionë dollarë USA dhe projekti do të zgjaste deri më qershor 2004.
Një prej objektivave të projektit ishte “riaftësimi dhe zgjerimi i godinave ekzistuese të Fakultetit Juridik [Marrëveshja e Kredisë, Shtojca 2].” Mbështetur në një studim bëshmërie, Dokumenti Vlerësues i Projektit parashikonte se hapësirat e nevojshme studimore dhe akademike që do t’i shërbenin një trupe studentore prej 650 vetash, “mund të plotësoheshin lehtësisht në truallin aktual të Fakultetit brenda një buxheti prej jo më shumë se 1 milion dollarësh” [Shtojca 2, Përshkrimi i Projekti, f. 34]. Sikurse jemi të gjithë dëshmitarë, Fakulteti i Drejtësisë as u zgjerua me ndërtesë të re, dhe as u riaftësua e vjetra.
Në fillim të vitit 2006, projekti iu nënshtrua vlerësimit të brendshëm të Bankës, ku sa i përket rezultatit të përgjithshëm mori notën “U” [Unsatisfactory – i Pakënaqshëm]. Lidhur me zgjerimin e Fakultetit të Drejtësisë, Raporti i Vlerësimit të Zbatimit të Projektit deklaronte se, “qeveria dështoi në zgjidhjen e konfliktit të pronësisë së oborrit të ndërtesës” [Raporti, faqe 23].
Me fjalë të tjera, ashtu sikurse gjetkë, edhe këtu fajin e ka nusja, domethënë Ministria e Arsimit, dhe aspak Banka Botërore…
Sikurse është parë shpesh gjatë periudhës së tranzicionit, Banka Botërore apo organizma të tjera ndërkombëtare, nuk kanë ngurruar aspak të ngulin këmbë për projekte të caktuara dhe madje ta qortojnë edhe botërisht qeverinë për raste të veçanta. Në rastin konkret, është e vështirë të besohet që Banka nuk mund t’i kërkonte qeverisë zgjidhjen e këtij konflikti të thjeshtë pronësie, madje ta kushtëzonte livrimin e çdo dollari tjetër në këtë kredi apo edhe dhënien e kredive të tjera me lirimin e truallit. Jo vetëm që Banka nuk u ndje fare, por në vitin 2002 “e anuloi ndërtimin e godinës dhe i transferoi fondet tjetërkund”… [Po aty, Treguesit e Objektivave, faqe 28].
Kjo, pra, është historia e hidhur e njërit prej investimeve më të rëndësishme në arsimin juridik shqiptar: atij të zgjerimit të Fakultetit të Drejtësisë. Planet u bënë, fondet u miratuan, porse Banka iu tremb një konflikti banal pronësie, anuloi ndërtimin e Fakultetit të ri dhe qetësisht transferoi fondet kushedi se ku.
Ndërkohë që studentët janë jashtë dhe Rektorati e Ministria po bëjnë çmos që t’i sistemojnë ata sa më parë, ripagimi i kredisë parashikohet të fillojë më 1 gusht të vitit të ardhshëm. Kredia do t’i paguhet Bankës plotësisht më 1 shkurt 2040. Ky është vetëm një shembull i vogël, por i prekshëm, i dobishmërisë së vërtetë të kredive të bankave ndërkombëtare të zhvillimit në Shqipëri. Raste të ngjashme ka plot, sikurse duhet pranuar se ka edhe projekte të suksesshme, që me të vërtetë ndihmojnë zhvillimin. Gjithsesi, duke patur parasysh se borxhi i Shqipërisë ndaj Bankës Botërore po afron 1 miliard dollarët si dhe duke qenë të ndërgjegjshëm për krizën e pashembullt financiare që ka përfshirë mbarë globin, ndofta qeveria shqiptare do të duhej të rishikonte marrëdhëniet e saj me Bankën Botërore, me synim rritjen e dobishmërisë kreditore dhe mbrojtjen e interesave të tatimpaguesve shqiptarë.
Kjo do të kërkonte para së gjithash një pezullim apo moratorium të kredive të reja, deri sa të analizohet dobishmëria dhe rezultatet e të gjitha kredive të përftuara deri më sot si dhe sa të kapërcehet kriza. Duke qenë se kemi të bëjmë me fonde publike, ndofta kjo detyrë u takon ekspertëve të Komisionit të Kontrollit të Shtetit, të cilët të mos druhen asfare që, nëse zbulojnë shpërdorim të fondeve, të vënë para përgjegjësisë edhe zyrtarët e vetë Bankës, e madje, të kërkojnë kthimin e fondeve.
Po ashtu, ka ardhur koha që të ndryshohet rrënjësisht mendësia e kredit-marrjes gjatë ndërveprimit Bankë Botërore – Shqipëri. Sot zakonisht janë burokratët e Bankës ata që nxisin vendet në zhvillim për të marrë kredi – kurse normalisht duhet që kredia të burojë nga nevojat reale të vendit kredit-marrës dhe të jetë nismë ekskluzive e tij. Praktika të tilla ku burokratët e Bankës vizitojnë zyrat e shtetit për të shitur me çdo kusht kreditë e tyre, paçka nëse vendi ka apo jo nevojë dhe pavarësisht se sa të dobishme dalin ato, duhet të marrin fund njëherë e mirë.
Një hap tjetër i domosdoshëm është ripërcaktimi i vendit të Shqipërisë në Bordin e Drejtorëve Ekzekutivë. Drejtoritë Ekzekutive në sistemin e Bankës Botërore janë hallka shumë të rëndësishme, pasi ato ndërlidhin Bankën me vendet anëtare, duke përfaqësuar nga njëra anë interesat e Bankës, por duke mos lënë pas dore edhe interesat e vendeve që përfaqësojnë. Sot Shqipëria bën pjesë në Drejtorinë Ekzekutive 21, së bashku me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Timorin Lindor, Maltën dhe San Marinon. Mirëpo vende fqinje mund të kenë interesa të ndryshme, madje edhe të kundërta. Jo gjithmonë, për shembull, interesat ekonomike, zhvillimore etj., të Shqipërisë përputhen me ato të Italisë e Greqisë. Disa zhvillime të fundit, dhe sidomos politikat ekonomike që përpiqen ta shpërngulin në Shqipëri industritë ndotëse të fqinjëve, sjellin në vëmendje se Drejtoria Ekzekutive 21 mund të mos jetë në gjendje të kapërcejë konfliktin e saj inherent të interesit, pasi mund ta orientojë Bordin e Bankës kah miratimi i projekteve e kredive, të cilat u interesojnë më shumë vendeve fqinje se sa Shqipërisë. Mjaft të përfolura kanë qenë, për shembull, do projekte energjetike në Gjirin e Vlorës, ku fitojnë kryesisht kompani italiane (apo edhe greke në të ardhmen) ndërkohë që tatimpaguesit shqiptarë përfitojnë aspak ose fare pak. Pse, për shembull, duhet që Banka Botërore të financojë një TEC me naftë importi në një plazh ranor mesdhetar si ai i Treport – Kavallonës, ndërkohë që autorizohet prodhimi i energjisë elektrike me anë të erës në një zonë të mbrojtur si Karaburuni për t’iu përcjellë Sicilisë? Pse të mos financonte Banka një projekt për energji ere apo diellore brenda territorit shqiptar që të prodhonte energji për tregun e brendshëm, duke mbrojtur e ruajtur kësisoj edhe bregdetin piktoresk mesdhetar të Gjirit historik të Vlorës?
Maqedonia, nga ana tjetër, ndodhet në Drejtorinë 19 të kryesuar nga Holanda, dhe ku bëjnë pjesë vende si Izraeli, Ukraina, Kroacia, Armenia etj. Kjo vendosje e Maqedonisë mënjanon madje edhe mundësinë apo dukjen e konfliktit të interesit, pasi Holanda, për shembull, nuk ka interesa të tilla në rajon që të përplasen me ato të Maqedonisë. Shqipëria ka të drejtën sovrane që të kërkojë largimin nga Drejtoria 21 dhe bashkimin me një grup tjetër vendesh, ose me një vend të madh, sikurse ka edhe të drejtën që t’i kërkojë Bordit të Drejtorëve Ekzekutive që të hetojnë se pse dështoi projekti i Bankës për ngritjen e godinës së re të Fakultetit të Drejtësisë dhe kush nga administrata e Bankës ka përgjegjësi për këtë.