Dade: Qeveria, vend azilant për të kërkuarit
Aristir Lumezi
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike vazhduan edhe dje “luftën” e deklaratave për çështjen hetimore ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Partia më e madhe opozitare në vend reagoi ndaj situatës së krijuar lidhur me çështjen “Basha” për hetim të abuzimeve në rrugën Durrës-Kukës. PS-ja kërkoi dje zbardhjen e çështjes për zhdukjen e fondeve të rrugës Durrës-Kukës. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, nëpërmjet një konference për shtyp të zhvilluar në selinë e PS-së, tha dje se “Sali Berisha dhe ministri i tij i pandehur, kanë zgjedhur të mbrojnë korrupsionin, duke e shndërruar qeverinë në strehë azilantësh për ata që i ikin drejtësisë. Kjo qeveri është një rrezik publik”. Sipas saj, “të kërkosh zbardhjen e të vërtetës do të thotë t’i shërbesh interesave të vendit, ndërsa ta konsiderosh këtë kërkesë si antikombëtare, do të thotë të fshihesh mbas simbolit kombëtar dhe të mbulosh këtë aferë korruptive nga më të mëdhatë, padyshim më e madhja dhe më e frikshmja e të gjithë periudhës së tranzicionit”. “Kjo nuk mund të ndodhë as duke abuzuar me foltoren e Ministrisë së Punëve të Jashtme për mbrojtje personale, as duke sulmuar opozitën me shpifje dhe fyerje, dhe as duke sfiduar institucionet e drejtësisë, me mosbindje të procedurave ligjore”, tha Dade. Sipas saj, “PS, opozita dhe opinioni publik, kanë zgjedhur të mbrojnë interesat e vendit”, ndërsa shtoi se, “Sali Berisha dhe ministri i tij i pandehur kanë zgjedhur të mbrojnë korrupsionin”.
Një ditë më parë, po nga selia e PS-së, kryetari i Komisionit të Ligjeve në këtë parti, Ylli Manjani, akuzoi Ministrinë e Drejtësisë se është kthyer në vegël të klanit “Berisha”. Manjani akuzoi dje se shortet për proceset më të rëndësishme janë në duart e gjyqtarëve të lidhur me strukturat e PD-së. Sekretarja socialiste tha se, “politizimi i kësaj çështjeje kaq të rëndësishme për moralin e shtetit, të qeverisë dhe politikës, jo vetëm që nuk ndihmon në zbardhjen e së vërtetës, por përkundrazi ndihmon për mbulimin e së vërtetës”. “Kjo nuk i shërben opinionit publik, por i shërben të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë korrupsion galopant të përmasave të frikshme. Ta konsiderosh këtë kërkesë si antikombëtare, do të thotë të fshihesh pas simbolit kombëtar dhe të mbulosh këtë aferë korruptive nga më të mëdhatë, padyshim më e madhja dhe më e frikshmja e të gjithë periudhës së tranzicionit”, tha Dade. Partia Demokratike reagoi ndaj qëndrimit të mbajtur nga ana e sekretares socialiste, Arta Dade, për akuzat e lëshuara ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, deklaroi mbështetjen e plotë ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, duke theksuar se “ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës është përgjigjja më e mirë ndaj akuzave të Edi Ramës”. “Pas një sërë takimesh të suksesshme të z. Basha me drejtues të diplomacisë botërore në Bruksel, Helsinki, Oslo etj., Edi Rama i përgjigjet me thirrjen e tij dëshpëruese për dorëheqje nga detyra e ministrit të Jashtëm. Me gjithë këtë qëndrim, Edi Rama, veçse faktohet si kryeprokurori politik i vendit që ka manipuluar gjer në palcë institucionin e akuzës dhe që pas dështimeve të njëpasnjëshme në këtë proces manipulimi, përsërit në mënyrë të përditshme kërkesën për largimin e z. Basha nga Ministria e Jashtme”, përfundoi deklaratën e tij deputeti Bumçi.