E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e Butrintit, del pa faj pronari i varkës

 

SARANDE-Pronari i varkës së tragjedisë së Butrintit del i pafajshëm nga prokuroria. Pas më shumë se 1 muaji nga ngjarja, që mori jetën e 5 personave që tentonin të shkonin klandestinë, Ahmet Bushi lihet i lirë. Këtë fakt e bën të ditur Prokuroria e Sarandës, sipas së cilës ndaj 52-vjeçarit nga Qafë-Gjashta janë pushuar hetimet. Mësohet se nga ana e hetuesve është vërtetuar se shtetasi Bushi, në kohën që ka ndodhur ngjarja, por edhe në momentin e kapjes nga policia, ka qenë në një dasmë. Lidhur me këtë fakt, nga organi i akuzës, janë marrë në pyetje edhe policët që bënë shoqërimin e tij në Komisariat mbrëmjen e 19 tetorit, pak kohë pas tragjedisë. Po kështu, nga ana e organit të akuzës, është marrë në pyetje edhe Dashamir Mane, 23-vjeç, i cili ndodhet i arrestuar, nën masën e sigurisë për veprën penale, "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim përfitimi në bashkëpunim, me pasojë vdekje". Nga deklarimet e këtij shtetasi, i cili akuzohet se ishte timonier i varkës së "vdekjes" është pohuar se shtetasi Ahmet Bushi nuk ka qenë në momentin e tragjedisë në vendngjarje, por se varka e tij është grabitur nga bregu. Po kështu, nga ana e prokurorisë është vërtetuar edhe fakti tjetër se Bushi, në momentin e ngjarjes dhe në atë të kapjes nga policia, nuk ka pasur telefon me vete, që të komunikonte me ndonjë person në lidhje me atë që po ndodhte në Butrint. Fillimisht ndaj Bushit, tre ditë pas arrestimit të tij, u mor masa e sigurisë, "arrest në burg me afat 30 ditë", me qëllim vazhdimin e hetimeve, pasi nga ana e Bushit u deklarua alibia, se në momentin e ngjarjes ndodhej në një dasmë. Alibia e tij u provua më pas nga grupi hetimor, duke sjellë lirimin nga qelia. Për tragjedinë e Butrintit, ndodhur më 19 tetor të këtij viti, ku si pasojë humbën jetën Elvira dhe Klara Jaho, Ndriçim Myftari, Amarildo Kuka dhe Festim Hoxha, të cilët do të kalonin kufirin si klandestinë, aktualisht ndodhen të arrestuar 3 vetë. Dashamir Mane, Hyqmet Sollaku dhe Bashkim Sena janë në pranga, ndërsa në kërkim janë ende Brahim Madhi dhe Albert Gega.                                   sh.d.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›