E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita pas Kodit

Skënder Minxhozi 

Kaluan pak orë, fare pak në fakt, pas miratimit të Kodit Elektoral, para se PD ...e PS të përplaseshin edhe një herë ashtu siç dinë ta bëjnë vetëm ato. Diskutimi i buxhetit në Parlament bëri që Berisha të heqë xhaketën dhe t'i "përvishet" sipas instinktit të tij të njohur të sulmit, opozitës dhe gjithçkaje tjetër, që hyn brenda këtij nocioni konkret. Një gjë të ngjashme bënë edhe socialistët pas tij, duke ofruar të gjithë së bashku një spektakël nga ai vjetri, që kishim filluar ta harronim, pas javëve të fundit kur ca nga ulja e toneve, e ca nga akuzat e partive të vogla për pazare të së mëdhenjve, po fillonim të besonim vërtet se dy figurat qendrore politike të këtij vendi kishin vendosur të ndërronin kostumin tradicional e të shpallnin paqen e madhe.
Buxheti e pas tij mesa duket edhe reforma në drejtësi dhe piketa të tjera, që ndodhen në rrugën, që pozita dhe opozita do të përshkojnë deri në zgjedhje, do t'i ndajnë, më shumë sesa do t'i bashkojnë palët. Rama dha para tre ditësh sinjalin e qartë se partia e tij nuk do ta japë konsensusin për paketën e reformës në drejtësi, duke e motivuar kë ndërrim kursi, me vullnetin e PS për ta vijuar, pasi të vijë në pushtet këtë proces të rëndësishëm. Dje, Berisha i kujtoi kreut të PS angazhimin që ai ka marrë, duke i bërë thirrje pozitës për të vijuar së bashku, në frymën e ndryshimit të Kushtetutës dhe Kodit Elektoral.
Por PS dhe partitë e tjera të së majtës kanë një axhendë të tyren, brenda këtij kalendari që çon deri tek zgjedhjet. Greva e urisë e LSI dhe aleatëve të saj, ka shënuar një zhvillim traumatik brenda opozitës. Ndarja e qartë e pozicioneve mes Ramës dhe Metës, të paktën aktualisht, duket e pariparueshme. E nëse kjo nuk e shqetëson shumë (për momentin) kryetarin socialist, lufta për lidershipin, ose më saktë për "pigmentin" e vërtetë opozitar brenda të majtës, vijon më e fortë se kurrë. Pakti PD-PS për Kodin Zgjedhor, i ka dhënë partive kundërshtare të PS brenda të majtës, një kartë që po e tundin më fort se kurrë, e që kërkon ta ekspozojë keq PS në sytë e elektoratit të saj. Në këto kushte, kur edhe zgjedhjet po afrojnë, është i pritshëm dhe i kuptueshëm një radikalizëm i qëndrimeve brenda partisë më të madhe të opozitës. Socialistët e dinë mirë se një pjesë e popullit të së majtës mund të ketë disa dyshime sot rreth asaj që po ndodh në katet e larta të politikës, por kjo është një situatë relativisht e lehtë për t'u sqaruar dhe shëruar. Natyrisht duke marrë parasysh edhe influencën publike që kanë deklarimet e forta të LSI, lidhur me "diktaturën me dy koka", që do të dëgjohet gjithnjë e më shpesh në të ardhmen.
Zgjedhjet po afrojnë. Kjo është një rrethanë, që e modelon në mënyrë të pakthyeshme qëndrimin e PS dhe opozitës tjetër ndaj të djathtës në pushtet. E majta kërkon pushtetin, e gjitha në bllok, pavarësisht interesave dhe pozitave të secilit brenda saj. Ajo që i ndan sot shefat e këtij grupimi është vetëm metodika e luftës opozitare. Një element jo i parëndësishëm në strategjinë dhe taktikën e PS, LSI e të tjerëve. Është i pritshëm kësisoj, një ashpërsim gradual i gjuhës ndaj qeverisë, ashtu siç është i justifikueshëm edhe një fërkim gjithnjë e më i madh mes vetë partive kryesore të opozitës së sotme, në emër të "prenotimit" të një numri më të madh votash të mundshme. Kush e shan më shumë Berishën, është opozitari më i mirë, ky duket se mund të jetë tundimi i radhës brenda opozitës, megjithëse Rama ka thënë më shumë se një herë se nuk do të bjerë në këtë format, që ai e konsideron si "politikë e vjetër". Nga ana tjetër, Meta dhe liderë të tjerë të majtë mund ta shfrytëzojnë këtë element, në përpjekje për të kapur atë numër votash radikale, që nuk "ngopen" me opozitën që bën aktualisht PS. Gjithsesi, ky rivalitet duket se do të influencohet jo pak nga vetë sistemi zgjedhor, ku nocioni i votës së dobishme është më i fortë se kurrë. Pra, votohet kryesisht forca që ka gjasa të marrë mjaftueshëm vota, për të rrëzuar të djathtën.
Opozita pas Kodit pritet t'i rikthehet fort temave që duket se janë lënë në "rrjedhje të lirë" javët e fundit. Gërdeci, afera Fazlliç dhe rruga Durrës-Kukës janë vetëm tre dosjet më të mëdha të një liste çështjesh, për të cilat opozita e sotme ka formuluar akuza konkrete, para se këtë ta bëjë drejtësia. Nga ana tjetër, me një fushatë elektorale tek porta, duket i natyrshëm edhe starti i bilancit të madh qeverisës të PD në katër vjet, çka ka filluar tashmë në emisionet e ndryshme mediatike, ku përfaqësues të opozitës po paraqiten me programin e qeverisë të vitit 2005 në xhep. Por e gjitha kjo mund të mos jetë e mjaftueshme, për sa kohë që gjendemi përballë një fushate elektorale, ku, dihet se ka rëndësi jo vetëm obstruksioni dhe kriticizmi, por edhe propozimi konkret. E në këtë pikë, pakkush në klasën e sotme politike, ka dhënë ndonjë shembull për t'u pasur zili. Lavditë dhe fitoret janë ngritur kryesisht mbi fushatat negative, më shumë sesa mbi ato pozitivet. Si të thuash, më votoni mua, jo se jam i mirë, por sepse ai që kam përballë është i keq!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›