E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zhduket" edhe familja e Ismet Kryeziut në Kosovë

 

Dashamir Biçaku

Policia Shqiptare del duarbosh nga kërkimet në familjen e të zhdukurit Ismet Kryeziu në Kosovë. Humbja pa gjurmë e 54-vjeçarit në Tiranë dhjetë ditë më parë, ka detyruar policinë shqiptare të verifikojë për një rikthim të tij te familja në Kosovë. Me kërkesë të policisë shqiptare, efektivat e policisë së SHPK-së së Prishtinës dhe të UNMIK-ut, kanë trokitur në familjen e krijuar nga martesa e parë e të zhdukurit Ismet Kryeziu, i deklaruar si eksponent i UÇK-së. Efektivat që kanë bërë këtë verifikim në Kosovë, nuk kanë mundur të kontaktojnë me asnjë prej pjesëtarëve të familjes së Kryeziut, pasi ata nuk janë gjetur në banesë. Por kështu edhe nëpërmjet numrave të telefonit, ata nuk janë mundur të kontaktohen prej policisë kosovare. Kjo e fundit ka mbërritur në banesën e fëmijëve dhe ish-gruas së Ismet Kryeziut, me qëllim për të mësuar prej tyre një version të mundshëm për zhdukjen e 54-vjeçarit në Tiranë. Ky verifikim është bërë pas një kërkese në rrugë zyrtare të Policisë së Shtetit shqiptar në lidhje me zhdukjen e Kryeziut në mënyrë enigmatike, pa gjurmë, nga banesa e vjehrrit të tij në Tiranë. Verifikimi i policisë së Kosovës në familjen Kryeziu, është pohuar për gazetën "Panorama", nga burime të policisë së kryeqytetit. Sipas tyre, ky kontroll në Prishtinë, nuk ka ndihmuar për të sqaruar ndonjë rrethanë apo për të gjetur ndonjë element që të hidhte dritë mbi zhdukjen e Kryeziut. Madje në të kundërt, ky verifikim në dukje fare formal ka komplikuar më tepër kërkimet për Kryeziun. Fakti se familja e gruas së tij të mëparshme nuk ishte në banesë, ka bërë që policia të shtojë edhe më tepër dyshimet mbi mundësinë e një vetëlargimi të Kryeziut nga shtëpia e vjehrrit të tij, në rrugën "Niko Avrami", në lagjen Allias të Tiranës. Ky fakt është bërë i ditur për gazetën "Panorama", nga zyrtarë të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Tiranës. Të njëjtat burime pohuan se kjo situatë i ka shtyrë ata të mendojnë se një nga mundësitë e zhdukjes së Ismet Kryeziut, mund të ishte edhe vetëlargimi i tij. Pavarësisht këtij konstatimi, një fakt i tillë nuk i ka zgjidhur shumë punë policisë së kryeqytetit, në lidhje me ndonjë gjurmë të mundshme të Kryeziut. Gruaja e tij, Anila Kryeziu (Leli), që ndodhet në Tiranë, që prej të shtunës së dy javëve më parë nuk ka marrë asnjë informacion apo të dhënë mbi vendndodhjen e mundshme të bashkëshortit të saj Ismetit. Hetuesit dhe oficerët e komisariatit nr.4 dhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë pritur që së paku të kishte pasur një kontakt nga persona të ndryshëm mbi vendndodhjen e mundshme të Kryeziut, por kjo nuk ka ndodhur. Më tepër se dhjetë ditë pas zhdukjes pa gjurmë të njeriut të quajtur si aktivist i UÇK-së, dosja në kërkimit të tij ka kaluar për veprime të mëtejshme zyrës së hetimit të Akteve dhe Krimeve Terroriste ose i njohur shkurt Antiterrori. Nisur nga kompleksiteti, që rrethon personalitetin figurën e të zhdukurit, policia dhe prokuroria kanë kërkuar, që dosja të nisë të hetohet nga ky sektor. Veprimet e para që priten të kryhen është administrimi i thirrjeve telefonike të kryera nga Kryeziu dhe telefonatat, që mund të jenë kryer në drejtim të telefonit të tij deri në mbrëmjen e të shtunës së 13 nëntorit të kaluar. Ismet Kryeziu, u largua nga banesa e vjehrrit të tij në Tiranë, ndërsa u kishte thënë atyre se do të pinte një kafe me disa miq. Që prej orës 18:00 të asaj dite ata nuk kanë marrë asnjë informacion për fatin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›