S'ka objekt, gjykata pushon padinë e kunatit të Bashës
TIRANE - Pushohet padia e kunatit të ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, kundër prokurorisë për heqjen e sekuestros nga kompanitë e tij. Pushimi i çështjes u bë pas deklarimit në seancë të prokurorisë, se ky institucion nuk kishte nxjerrë asnjë urdhër sekuestroje apo bllokimi për kompanitë e Isufajt. Pas kësaj prokuroria kërkoi pushimin e çështjes, pasi nuk qëndron objekti i padisë së paraqitur nga kunati i ministrit. "Prokuroria nuk ka kërkuar vënien nën sekuestro të pasurive të paluajtshme të Erion Isufit, por ka urdhëruar Hipotekën t'i verifikojë pronat në emër të këtij shtetasi". Kështu argumentoi dje gjyqtari i çështjes Sokol Tona, pasi ka shqyrtuar të gjithë dokumentet zyrtare të firmosur nga prokurorë dhe punonjës të Hipotekës, ndërsa konkludoi se në rastin konkret nuk ka vend për të gjykuar. Duke vazhduar më tej gjykatësi pohoi gjithashtu, se nuk ekziston asnjë vendim bllokimi për pronat e Erion Isufit, ish-administrator i disa kompanive të biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, ndaj, padia që ai ka depozituar kundër prokurorisë në gjykatë, rrëzohet poshtë si e paargumentuar në prova. Pas hapjes së hetimeve ndaj Fazlliçit, prokuroria urdhëroi bllokimin e llogarive bankare dhe objekteve në pronësi të tij, si dhe kërkuan verifikimin e pasurive të bashkëpunëtorëve të biznesmenit Fazlliç në Shqipëri. Ndërsa nuk ka asnjë zhvillim të hetimeve ndaj Fazlliç, dy administratorët e kompanive të tij, Erion Isufi dhe Dionis Teqja iu drejtuan gjykatës për të hequr sekuestrot e vendosura nga prokuroria ndaj pronave të tyre. Pas debatit të ashpër të zhvilluar në seancat gjyqësore fillimisht u pushua kërkesa e Teqjes, ndërsa dje u pushua edhe ajo e Isufit. Aktualisht në gjykatën e kryeqytetit ndodhet në proces gjykimi edhe një padi e paraqitur nga avokati i Fazlliç, i cili kërkon heqjen e sekuestros nga kompanitë e tij, që janë verifikuar nga institucionet shtetërore. Seancën e kaluar të këtij procesi është kërkuar që të gjitha paditë që kanë të bëjnë me Fazlliç dhe ortakët e tij të grupohen për t''u shqyrtuar nga një gjykatës i vetëm. Por, pushimi i padive të dy administratorëve të Fazlliçit u bë shkak që padia e tij të shqyrtohet e vetme. Objekti i të tre padive ishte heqja e sekuestrove të vendosura nga prokuroria. fa.ma.