Kristiano Ronaldo, i gatshëm kundër Vijarealit
Anësori i Mançester Junaitid, Kristiano Ronaldo, udhëtoi drejt Spanjës për të qenë pjesë e skuadrës në ndeshjen kundër Vijarealit, pavarësisht se ai pësoi një dëmtim të lehtë në barazimin pa gola kundër Aston Vilës, të vlefshëm për kampionatin anglez. Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të klubit, që theksonte se Ronaldo u stërvit pa probleme. Geri Nevil, Dimitar Berbatov, Ediv van der sar dhe Deni Uelbek nuk do të jenë në ndeshjen kundër Vijarealit. Në “El Madrigal” do të përballen dy skuadrat e para të Grupit E të Ligës së Kampioneve, Vijareal-Mançester Junaitid. Dy klubet kanë një diferencë të qartë prej gjashtë pikësh në raport me Sëlltikun e Alborgun, e një barazim do t’u jepte mundësinë të dyja skuadrave të progresonin në 16 më të mirat e kontinentit. Vijareali nuk ka humbur asnjë ndeshje të Ligës së Kampioneve në shtëpi, përfshirë edhe ato të raundit të tretë kualifikues të sezonit 2005-2006. Në nëntë takime ka arritur pesë fitore e katër barazime në “El Madrigal”. Mançester Junaitid është i pathyer në tetë ndeshje në transfertë dhe janë të pamundur në total për 18 muaj rresht. Humbja e tyre e fundit është ajo me Milanin, në maj të vitit 2007.
Barikelo: “Jam kërcënuar nga Ferrari”
Piloti brazilian: “Gjithçka për të favorizuar Mikael Shumakerin të fitonte”
Gjatë ditëve të kaluara kishte thënë se “publiku nuk ............as gjysmën e asaj që kam parë te Ferrari. Ndoshta një ditë do ta lexoni të vërtetën në ndonjë libër”. Dhe kjo gjë ndodhi, edhe pse Rubens Barikelo nuk zgjodhi një libër për të treguar të vërtetën e tij në lidhje me të kaluarën e tij te Ferrari. Braziliani sot është pa makinë (Honda e ka larguar, duke e përjashtuar edhe nga testet e para dimërore), por edhe njëherë tjetër e ka akuzuar Ferrarin se ka favorizuar Mikael Shumakerin. Gjatë një interviste të dhënë për emisionin brazilian “Fantastico”, Barikelo pohoi se kishte qenë i detyruar pas shumë kërcënimeve që të lejonte të kalohej në Çmimin e Madh të Austrisë në vitin 2002. Gjatë këtij rasti, braziliani, i cili ishte në vitin tretë te Ferrari, kishte arritur të fitonte “pole position”. Dhjetë xhiro përpara përfundimit të garës ishte përpara gjermanit. “Tetë xhiro nga fundi, filloi edhe komunikimi me bokset”, - tha Barikelo, i cili shton se më pas i erdhi edhe urdhri për të lejuar Shumakerin ta parakalonte. “Më thanë: ‘Pas ke Mikaelin, ti e di sa e rëndësishme është kampionati’. Me kalimin e xhirove intensiteti i bashkëbisedimit u shtua. Përse e lashë të kalonte në kthesën e fundit? Pasi në hyrjen e kthesës së parafundit vendosa të mos e lejoja të kalonte. Më thanë se nëse nuk do ta lejojan do të më rishikonin kontratën. Kjo qe për mua një urdhër. Më mirë të jesh ti që ta ngresh këmbën nga gazi, përndryshe do të përfundosh në shtëpi”. Në fund të sezonit Shumakeri fitoi titullin e pilotëve me 144 pikë kundrejt 77 të Barikelos. Barikelo më pas shpjegoi se do të dëshironte të dinte nëse gjermani e njihte situatën. “Do të doja të dija nëse ai ishte në dijeni të asaj që po ndodhte, pasi nuk ishte e drejtë ta bënim para të gjithëve. Dua të them se nuk prisja nga ai që të më thoshte edhe një ‘jo’ të thjeshtë. Por në shtëpi kam dokumente me të gjitha provat që dëshmojnë se ai ishte në dijeni të gjithçkaje që po ndodhte”. Akuzave të ashpra të Barikelos, Ferrari iu përgjigj përmes përgjegjësit të zyrës së shtypit, Luka Kolajani. “Nëse fjalët janë të vërteta, ia lëmë kohës ta provojë”.
Morati: “Është shpejt të flasim për arratisje”
Presidenti zikaltër: “Ishte një e diel pozitive, tani kemi tri pikë më shumë se Milani”
Hapi gjysmë fals i Milanit kundër Torinos i dha Interit mundësinë që të “fitonte” edhe dy pikë më shumë në raport me Milanin, pas atyre tri pikëve të fituara direkt me Juventusin në ndeshjen e së shtunës së kaluar. Presidenti i Interit, Masimo Morati, tregohet i vetëpërmbajtur e nuk dëshiron të flasë aspak për arratisje. “Jo, janë vetëm tri pikë (më shumë në raport me Milanin). Është shumë shpejt. Ishte një e diel pozitive nga të gjitha pikat e shikimit, kaloi shumë mirë dhe e shijuam me kënaqësi”. Në lidhje me pyetjen se cilën skuadër nuk do të dëshironte të kishte përballë në një të tetat e Ligës së Kampioneve, Morati u përgjigj thatë: “Kemi edhe disa ndeshje, nuk e mendoj aspak tani”. Presidenti i Interit flet edhe për projektin e stadiumit të ri, të gjithë për Interin, ashtu siç janë duke bërë edhe Juventusi e Milani. “Stadiumin për Interin jemi duke e studiuar, dhe nëse do të kishim mundësi ta ndërtonim, do ta bënim atë shumë shpejt”.
25 Nentor 2008