E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta tërhiqet, gati të ulem me Ramën

Kreu i LSI-së ka deklaruar dje se do të ftojë Ramën të ulen në një tryezë për të diskutuar për Kodin

Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi ka humbur çdo beteje institucionale për Kodin Zgjedhor, i është kthyer idesë së bashkëpunimit me Partinë Socialiste. Kreu i kësaj force, Ilir Meta, është shfaqur dje më bashkëpunues me forcat e tjera opozitare dhe me Partinë Socialiste në veçanti, për të garantuar një proces zgjedhor konform standardeve të kërkuara edhe nga ndërkombëtarët. Duke marrë pjesë në një takim me të rinjtë e kësaj force në rrethin e Matit, kreu i LSI-së është shprehur i gatshëm që të ulet në një tryezë me kreun e Partisë Socialiste për të diskutuar në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Në emër të garantimit të standardeve ndërkombëtare për realizimin e këtyre zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta, do t’i jap edhe një mundësi zotit Rama që të reflektojë, duke i kërkuar atij për t’u takuar dhe për t’i ndarë nga afër edhe një herë këto principe me të”, - tha Meta në fjalën e vet. Por takimi sipas tij duhet të ketë në qendër të diskutimeve të tij pikërisht Kodin Zgjedhor dhe gjetjen e një konsensusi për të pranuar kërkesat e kësaj force për t’u përfshirë në komisionet e numërimit të votave.Meta ka bërë të ditur se ende ka kohë për të bërë reflektimin e duhur në Kodin Zgjedhor, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë momentin e kthimit të këtij ligji për rishqyrtim në Kuvend. “Duke qenë se ndaj të njëjtin mendim me ju dhe jam i bindur me shumicën e shqiptarëve në këtë çështje, unë do të bëja një sforco tjetër, meqenëse ka ende kohë për t’u bërë rishikimi i Kodit, në emër të evitimit të tensionit përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve, duke i kërkuar atij për t’u takuar”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta. Por duket se gjetja e një gjuhe të përbashkët për këtë çështje me socialistët është e vështirë për vetë faktin se tashmë Kodi prej tyre konsiderohet një çështje e ezauruar, pavarësisht se ai është kthyer në Kuvend për t’u korrigjuar. PS është shprehur e gatshme që të rishohë ligjin në pikën që ka atakuar kreu i shtetit dhe që ka të bëjë me afatin kushtetues të shpalljes së datës së zgjedhjeve, por jo prekjen e thelbit të tij, përfshi këtu edhe nenet që përcakton përbërjen e komisioneve që do të administrojnë procesin zgjedhor. Në këtë mënyrë socialistët do të mirëprisnin çdo ftesë bashkëpunimi në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, por jo për infrastrukturën ligjore zgjedhore, të cilën e konsiderojnë një kapitull të mbyllur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›