PDS shpall përfshirjen në një koalicion me PS-në
Kryetarja e grupit parlamentar socialist shprehet se PS-ja është e hapur për bashkëpunim elektoral
“PDS ka vendosur të shkojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në koalicion me Partinë Socialiste”
Fillon të marrë jetë koalicioni i ardhshëm elektoral dhe qeverisës i së majtës. Partia Demokracia Sociale, e drejtuar nga Paskal Milo, ka shpallur dje në mënyrë përfundimtare vendimin për të dalë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare përkrah Partisë Socialiste si partia më e madhe opozitare. Ka qenë vetë kryetari i kësaj force, Paska Milo, ai që ka bërë të ditur vendimin e strukturave më të larta të partisë së tij për të qenë në një koalicion së bashku me socialistët në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit. “I autorizuar nga kryesia qendrore e partisë në mënyrë unanime pas mbledhjes së saj të fundit, Partia Demokracia Sociale ka vendosur të shkojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në koalicion me Partinë Socialiste dhe me forcat e tjera të majta dhe progresiste”, - u shpreh kreu i PDS-së Paskal Milo dje, duke folur gjatë kongresit të forumit rinor të kësaj force. Partia Demokracia Sociale është forca e parë e majtë që deklarohet hapur për një vendim të tillë, megjithëse gjendemi plot 6 muaj nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve. Një vendim i tillë duket se është i kushtëzuar për forcat e vogla politike që të dalin në koalicione me forcat e mëdha për shkak se sistemi proporcional rajonal favorizon vetëm koalicionet. Nga ana tjetër, vendimi i Demokracisë Sociale është mirëpritur nga socialistët, të cilët janë shprehur të hapur për ta zgjeruar këtë koalicion edhe me forca dhe grupe të ndryshme shoqërore të cilët, ashtu si ata, kërkojnë t’i japin fund kësaj qeverisje. Sipas kryetares së grupit parlamentar të PS-së, e cila ka marrë pjesë në punimet e këtij kongresi, entuziazmi me të cilin u prit shpallja e këtij vendimi nga të rinjtë e PDS-së tregon qartë për dëshirën që kanë shqiptarët dhe aq më shumë të rinjtë për t’u bashkuar përpara një kundërshtari si Berisha. “Mënyra se si u prit nga salla, mënyra se si u prit nga të rinjtë shpallja nga Kryetari i PDS, nga Z. Milo, e pjesëmarrjes në koalicion të Partisë Demokracia Sociale me Partinë Socialiste, tregon etjen, dëshirën, që shqiptarët, të rinjtë kanë për t'u bashkuar, që do të thotë se vendimin që kanë marrë strukturat vendimmarrëse të PDS, është një vendim që mbështetet nga anëtarët e tyre, nga rinia. Besoj se ky koalicion përputhet me atë filozofi që Partia Socialiste ka shpallur me kohë, e cila ka bërë thirrje për një bashkim të madh, që është kontributi i të gjithë qytetarëve, që është bashkimi i të gjithë atyre forcave politike progresiste, që kërkojnë ndryshimin e Shqipërisë”, - tha Leskaj. Ndërkohë, e pyetur nëse PS do të ftonte dhe LSI-në në këtë koalicion, kryetarja e deputetëve socialistë ka bërë të qartë se kur PS deklaron se do të krijojë një koalicion me të gjitha forcat dhe shqiptarët, nuk përjashton asnjë parti apo individë që kërkon t’i bashkëngjitet filozofisë së saj të ndryshimit të vendit duke u bashkuar. “PS e ka bërë të qartë që në fillim ftesën kur ka shpallur bashkimin e madh, në radhë të parë me qytetarët. Unë besoj se forcat politike duhet të përmbushin qëllimet e qytetarëve. Partia Socialiste e ka shpallur me kohë dëshirën për bashkëpunim dhe për t'ju bashkuar një koalicioni të madh, që ju shërben qytetarëve dhe jo partive politike apo interesave të veçanta të individëve”, - tha Leskaj. Ndërkohë që duket se pjesë e këtij koalicioni do të jenë dhe socialdemokratët e Gjinushit, të cilët kanë shprehur publikisht dëshirën për t’i mbetur besnike edhe në zgjedhjet parlamentare bashkëpunimit me socialistët.