Avokati i Bollanos: Prokuroria është ksenofobe
Procesi gjyqësor në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Himarës, njëkohësisht kryetar i organizatës "Omonia", Vasillaq Bollano, nuk ka mundur të shpëtojë nga debatet me karakter etnik. Avokati i njeriut që përfaqëson pakicën greke në Shqipëri ka akuzuar dje prokurorinë për ksenofobi, duke u munduar të argumentojë se akuzat ndaj Bollanos nuk qëndrojnë mbi baza reale, por mbi qëndrimet nacionaliste të organit të akuzës. Në analizën e tij përfundimtare, avokati Petraq Curri deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm dhe po gjykohet pa të drejtë si pjesë e një procesi penal. Sipas tij, prokuroria e ka të pamotivuar akuzën e saj për konsum të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkaktimit të dëmit material ndaj shtetit, për shumë arsye. "Prokuroria është ksenofobe dhe e veshur me nota të theksuara nacionalizimi", tha Curri në seancën e djeshme gjyqësore. Por menjëherë ka reaguar prokurori i çështjes, njëkohësisht titullar i Prokurorisë së Vlorës, Sokol Malaj, i cili tha se pretendimet e avokatit janë pa vend, duke pasur parasysh se në provën e depozituar nga prokuroria, ku pasqyrohet marrja në pyetje e Vasillaq Bollanos, ai e ka dhënë kombësinë e tij si shqiptare. "Nuk ka vend për këtë aludim gjatë gjykimit, kur jemi përballë shtetasve me të njëjtën kombësi si e jona", tha Malaj. Më tej, avokati Curri deklaroi se Bollano si kryetar i Bashkisë së Himarës ka marrë një masë administrative në zonën që është në juridiksion të tij dhe për këtë arsye nuk mund të gjykohet penalisht. "Pse nuk gjykohet penalisht edhe Kryeministri i vendit, për çështjen e ‘Zogut të Zi‘, ku pati të tilla thyerje flagrante administrative, apo titullarë të tjerë institucionesh e deri te gjyqtarët", tha avokati. Ai u shpreh gjithashtu se shtetit nuk i është shkaktuar asnjë dëm, pasi toka ku janë vënë tabelat nuk është tjetërsuar, ndërsa tabelat e hequra nuk janë dëmtuar, por janë të magazinuara. Pas dëgjoi avokatin dhe replikën e prokurorit, gjyqtari Shkëlzen Selimi vendosi të japë vendimin e detajuar më datë 21 prill. Prokuroria e Vlorës ka kërkuar që Vasillaq Bollano të dënohet me një vit burg dhe me gjobë, për "shpërdorim detyre".