E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në mes të Shkodrës, një "gabim"

Një ditë pas vrasjes së 40-vjeçarit Nadir Çuku në një lokal në qendër të qytetit të Shkodrës, policia ka bërë të mundur identifikim e autorëve të ngjarjes, të cilët mësohet se janë dy vëllezërit Basri dhe Ilir Baba nga fshati Mjedë. Tashmë autorët e krimit janë shpallur në kërkim dhe uniformat blu po punojnë për kapjen e tyre. Burime zyrtare nga Policia e Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se 40-vjeçari Çuku është vrarë gabimisht, pasi shënjestër e vrasësve ka qenë një person tjetër, Ndriçim Harusha. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22.30 në qendër të qytetit të Shkodrës, në zonën që njihet me emrin rruga pedonale, ku qytetarët bëjnë xhiron e mbrëmjes. Sipas policisë, vëllezërit Baba janë konfliktuar me Ndriçim Harushën në lokal, pas një grindjeje të çastit. Personat në fjalë kanë qenë në të njëjtin lokal dhe në pije e sipër kanë nisur të debatojnë ashpër duke shkëmbyer fyerje me njëri-tjetrin. Më pas debati ka degjeneruar në përleshje fizike. Ata kanë shkëmbyer grushte dhe më pas kanë vënë në përdorim edhe armët e zjarrit. Duke iu referuar burimeve zyrtare, mësohet se dy vëllezërit nga fshati Mjedë kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të shtetasit Ndriçim Harusha, por ky i fundit ka shpëtuar pa u prekur, ndërkohë që plumbat kanë lënë të vdekur në vend një klient të rastësishëm që ndodhej në lokal. Viktima Nadir Çuku, 40 vjeç, banor i lagjes "Ahmet Haxhia" të Shkodrës, ka qenë brenda lokalit që ndodhet në anë të rrugës "Kol Idromeno", së bashku me disa shokë të tij, duke ngrënë pica. Ndërkohë, protagonistët e kësaj ngjarjeje të rëndë kanë mundur të largohen menjëherë, pa rënë në dorë të policisë, duke lënë në vendin e ngjarjes një viktimë të pafajshme të përgjakur dhe disa gëzhoja pistolete. Cuku është transportuar menjëherë për në spitalin e qytetit, por me gjithë kujdesin e mjekëve, ai nuk ka mundur t‘u mbijetojë plagëve të marra. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 gëzhoja pistolete dhe një automjet tip "Benz" me targa të huaja, që mendohet se është autovetura e personit ndaj të cilit është qëlluar. Ndërkohë, pas ngjarjes policia ka shoqëruar disa persona që mendoheshin se kishin dijeni për ngjarjen. Burime nga policia bëjnë të ditur se tashmë personat që kanë shkëmbyer zjarr janë të identifikuar dhe po punohet për kapjen e tyre. Materialet do i kalojnë Prokurorisë së Rrethit dhe ndaj dy vëllezërve Ilir Baba, 38 vjeç dhe Basri Baba, 30 vjeç, do të përgjigjen për akuzat e "vrasjes me paramendim" dhe "vrasjes së mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim", si dhe "armëmbajtje pa leje". Burime nga policia pohuan se shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur vetëm 6 metra larg një banke dhe filmimet e kamerave të sigurisë së bankës janë një tjetër provë e fortë në dorë të policisë, që vërtetojnë e zbardhin rrjedhën dhe personat e përfshirë në ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›