Familjarët e policit të vrarë, pa strehë
Vrasja disa ditë më parë e dy policëve të shtetit në Shëmri të Kukësit, ka lënë në mes të rrugës fëmijët e tyre. Familja e policit të vrarë, Ramadan Hila, gruaja me katër vajza dhe që pret të bëhet nënë për të pestën herë, jeton aktualisht në një pavijon të spitalit civil të Kukësit. Mjeku pediatër, Misin Braha, tregon: "Bashkëshortja e policit Hila u shtrua në spital me katër vajzat, pasi tre prej tyre kishin kollë dhe temperaturë, por më pas, duke parë se nuk kishin ku të shkonin, i kemi mbajtur". Bashkëshortja e policit Hila ka thënë se derisa ishte gjallë i shoqi ka qëndruar në fshatin Shtanë me qira te një kushëri i burrit dhe se tani ndodheshin në mes të katër rrugëve. Pas vrasjes tragjike të dy policëve të shtetit, në Shëmri udhëtuan edhe personalitete të larta të shtetit, të cilët shpallën solidaritet me familjet e mjera, por menjëherë më pas ato u harruan. Të paktën familja Hila jeton prej shumë ditësh në spital dhe as është vizituar nga dikush. Kjo familje thotë se ka nevojë për një punë dhe për një strehë. Pikërisht për të parë nga afër gjendjen e familjeve të policëve të shtetit të vrarë në detyrë, udhëton sot në Kukës nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj. Burime të drejtorisë së policisë së qarkut thonë se ai do të shkojë në Shëmri te familja e ish-policit Dobrushi, si dhe në spitalin e Kukësit, ku qëndron familja e Hilës.