Si shpërdorohet titulli "Qytetar Nderi"
"Qytetar Nderi" është një titull që në Shqipëri jepet pa asnjë kriter. I njëjti person shpallet "Qytetar Nderi" në shumë qytete të Shqipërisë. Në arkivin e Bashkisë së Tiranës gjen emrat e Konti Cianos dhe Nikita Hrushovit që janë nderuar me titullin "Qytetar Nderi" edhe pse sot gjykohet se nuk kanë dhënë asnjë kontribut për qytetin. Që prej 70 vjetësh janë dhënë tituj "Qytetar Nderi" i kryeqytetit tonë. Ky është një titull i përcaktuar mbi ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit Lokal dhe që është kompetencë e Bashkisë së Tiranës nëpërmjet Komisionit të Vlerësimit të Figurave për dhënien e tij. Ndërkohë që në listën e gjatë të këtyre titujve shikon emrat e personave që janë nderuar si "Qytetar Nderi", por që nuk jetojnë më. Në momentin që ndërron jetë, ai duhet të kthehet në ish-"Qytetar Nderi". Kurse për ta përjetësuar këtë pastaj ka emërtim rrugësh, emërtim sheshesh, e përjetëson, d.m.th. nga nderimi kalojmë te përjetësimi. Por një gjë e tillë nuk ndodh. Nga ana tjetër, jepen tituj "Qytetar Nderi" edhe pas vdekjes, por edhe në ato njësi administrative që nuk janë qytete. Madje, ka edhe "Qytetar Nderi" i Qarkut të Tiranës. Me titullin "Qytetar Nderi" është nderuar në vitin 1937, pas një vizite në kryeqytetin e shqiptarëve me rastin e 26-vjetorit të pavarësisë, konti Galeacio Ciani, ish-ministër i Jashtëm i Italisë, dhëndër i Duçes dhe organizatori i pushtimit fashist të Shqipërisë. Kryetar i bashkisë në atë kohë ishte Abedin Nepravishta, ndërsa motivacioni ishte: Populli shqiptar i lidhun me miqësi të fortë me Italinë ka këto ditë mysafir të shquar shkëlqesinë e tij konte Cianon, të cilin bashkia e nderon duke e regjistruar Qytetar të nderuar të Tiranës, në shenjë nderimi të thellë. Pas 21 vjetësh iu dha i njëjti titull Nikita Sergejeviç Hrushov, sekretar i Parë i Komitetit të Partisë Komuniste të BRSS "i cili kurdoherë ka treguar një kujdes të madh dhe të veçantë për të ndihmuar bujarisht për ndërtimin e socializmit në Shqipëri". Valter Gjoni, ekspert në zyrën e protokollit në Bashkinë e Tiranës deklaron se "ky titull duhet të jepet për personat që jetojnë. Nuk mund t‘u jepet të vdekurve". Ai hedh idenë që të ngrihet një zyrë pranë Këshillit të Ministrave apo institucionit të Presidencës, që të përcaktojë qartë kriteret e dhënies së këtyre titujve.