Kthehet në shtëpi nënë Ferideja
Feride Bako, e moshuara nga Fieri, e cila dy ditë më parë fitoi falje të dënimit nga amnistia e Presidentit të Republikës, është kthyer në fshatin e saj, ku e prisnin nipërit jetimë dhe të afërmit. Nënë Ferideja konsiderohet në fshatin Mbyet të Komunës Portëz si një heroinë. Kanë qenë nipërit ata që u gëzuan më shumë për lirimin e gjyshes së tyre. Ndërkaq, të afërm dhe banorë të zonës nuk kanë reshtur së vizituari banesën e saj të re, e cila u ndërtua ditët e para të vitit 2009, falë ndërhyrjes së Bashkisë së Fierit. E përlotur dhe e gëzuar për bashkimin me nipërit e saj, nënë Ferideja është shprehur: "Unë jam nëna e Edi Ramës. Ai shpluhurosi së bashku me televizionin ‘Top Channel‘ historinë time të dhimbshme. I jam borxhli gjithë jetën". E moshuara nuk harron të falënderojë edhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi, i cili vlerësoi kërkesën për faljen e saj. Nënë Ferideja, e shoqëruar nga nipërit që nuk i ndaheshin për asnjë çast, ka pritur dhe përcjellë vizitat e pafund në shtëpi, ndërsa ka akuzuar media të veçanta, të cilat e kanë përdorur historinë e saj. 74-vjeçarja ishte në burg prej një viti për kultivim bimësh narkotike. Historia e saj u bë publike ditët e fundit të vitit 2008, kur dhe kreu i opozitës mundësoi për të disa ditë lirie për t‘u takuar me nipërit.