Durrës, adoleshentja shtyp me makinë një 12-vjeçar
Tri aksidente me pasojë vdekjen e dy personave, mes të cilëve një 12-vjeçar, kanë ndodhur brenda dy ditëve të fundit. Në Durrës, një 18-vjeçare, teksa mësonte makinën në breg të detit, ka përplasur për vdekje një 12-vjeçar, i cili ishte duke luajtur me shokët në plazh. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në brezin ranor të plazhit të Durrësit dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm është arrestuar autorja e aksidentit, Xheini R., me origjinë nga Fieri dhe me banim në Durrës. Burime nga policia bëjnë të ditur se Xheini ka qenë duke lëvizur me një veturë me targa DR 8161 E, kur ka aksidentuar 12-vjeçarin Xhoni Recka, banor i plazhit të Durrësit. Fëmija ka qenë duke luajtur me shokët pasdite në plazh, kur është goditur nga makina që bënte prova në brezin ranor të sektorit "Hekurudha" të plazhit. Ai është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të qytetit dhe ka ndërruar jetë disa orë më vonë, duke e gdhirë dita e martë. Një tjetër aksident me pasojë vdekje ka ndodhur në Elbasan. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01.00 të së martës, në fshatin Mengël të Komunës së Labinotit Fushë, rreth 3 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Sipas të njëjtave burime, 24-vjeçari Maringlen Lushnjari ka qenë duke udhëtuar për në Elbasan, kur mjeti i tij me targa TR7576P, ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur me një bllok betoni në anë të rrugës në fshatin Mengël. I riu është transportuar për në spitalin kirurgjikal të qytetit, por me gjithë ndërhyrjen e mjekëve ka qenë tepër vonë për të. Ndërsa në Devoll, si pasojë e një aksidenti, ka mbetur plagosur rëndë 56-vjeçari Përparim Pasho. Motoçikleta e tij është përplasur nga një veturë që lëvizte me shpejtësi. Për pasojë, 56-vjeçari ka pësuar plagë të rënda. Për këtë ngjarje është prangosur autori i ngjarjes, Elton Kupe, 29 vjeç nga Bilishti.