Pensionistët i marrin paratë në furgon
Pensionistët që merrnin pensionin në zyrën postare nr. 21 në Tiranë, që prej tri javësh pensionin e tërheqin në një furgon të Postës Shqiptare. Tri javë më parë, Zyra Postare nr. 21 në kryeqytet është shembur, pasi ishte një kioskë në mes të rrugës dhe rruga ku ndodhej, po asfaltohet. Punonjëseve u është thënë se shumë shpejt do të transferohen në një ambient tjetër, por që prej tri javësh ata shpërndajnë pensionet në një zyrë pensionesh të improvizuar në bagazhin e një furgoni. Janë dy furgonë të verdhë të Postës Shqiptare të fshehur pas një pallati, mbrapa shkollës "Sabaudin Gabrani" në Tiranë. Dy furgonët i ruan një polic me automatik. Sa herë që afrohet ndonjë pensionist që të tërheqë pensionin hapet dera e bagazhit të furgonit, del një punonjëse e postës që jep paratë. Në këtë zyrë të improvizuar brenda në furgon marrin pensionet 260 pensionistë. Pra bëhet fjalë për shuma të mëdha parash, që jepen jashtë çdo kushti sigurie.