E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuta, Berisha kërkon ti heqë edhe dekretet Topit

• Pas PS-së, edhe PD-ja paraqet propozime konkrete për ndryshimin e Kushtetutës.

ADI SHKEMBI

Deputetët demokratë në Komisionin e Ligjeve kanë paraqitur dje një draft me disa ndryshime në kapitujt e Presidentit, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Por këto propozime nuk janë mirëpritur nga opozita në komision. Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa, është shprehur kundër diskutimit të këtyre propozimeve në këtë moment, duke shtuar se tani komisioni duhet të diskutojë vetëm propozimet e PS-së, për reformën zgjedhore.
Presidenti
Në draftin e paraqitur nga demokratët ndryshon në pjesën më të madhe procedura e zgjedhjes së presidentit të vendit. Edhe në këtë draft duhet që një kandidat për president të ketë firmat e të paktën 20 deputetëve, por në ndryshim nga neni aktual i Kushtetutës, me ndryshimet e PD-së, një deputet mund të firmosë për më shumë se një kandidat. Në draftin e PD-së nuk do të jenë më pesë votime, por dy raunde, ku i pari do të ketë tre votime dhe i dyti dy. Në të katër votimet lejohet të futen kandidatë të rinj në garë, ndërkohë që ndryshimi thelbësor është pikërisht për votimin e pestë. Sipas këtij dokumenti, në votimin e pestë president zgjidhet ai kandidat që merr votat e më shumë se gjysmës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, që do të thotë 71 vota. Nëse edhe pas këtij votimi nuk arrihet të zgjidhet presidenti, Kuvendi shpërndahet. Një tjetër ndryshim ka të bëjë me mbajtjen e kompetencave të presidentit, nëse këtij të fundit i ka mbaruar mandati dhe deri në këtë ditë nuk është zgjedhur kreu i ri i shtetit. PD-ja propozon që, procedurat për zgjedhjen e presidentit të nisin 35 ditë para mbarimit të mandatit të kreut të shtetit dhe nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin deri në këtë afat kohor, funksionet e tij i ushtron Kryetarja e Kuvendit. Ndërkohë, nëse këto ndryshime do të miratohen, Kryeministri do të marrë në dorë edhe dekretet e nxjerra nga Presidenti. Drafti propozon që dekretet e firmosura nga kreu i shtetit duhet të firmosen paraprakisht nga kryeministri ose ministri përgjegjës dhe vetëm atëherë kalojnë në Kuvend.
Kryeministri
Ndryshimet për kreun e qeverisë janë propozuar në nenet për mocionin e besimit dhe mosbesimit. Kështu në nenin 104 thuhet se, në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri refuzohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një kryeministër tjetër. Ndërkohë sipas propozimeve të PD-së, nëse mocioni i paraqitur nga Kryeministri votohet nga më pak se gjysma e të gjithë deputetëve të Kuvendit, brenda 48 orëve kryeministri i kërkon presidentit të shpërndajë Parlamentin. E kundërta është me mocionin e mosbesimit. Në nenin 105 thuhet se, në rast se mocioni i mosbesimit i paraqitur nga 1/5 e deputetëve miratohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve zgjedh një kryeministër tjetër. Në këtë rast presidenti emëron kryeministrin e ri. Ndërkohë, sipas PD-së, 1/5 e deputetëve paraqet në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit, duke propozuar një kryeministër të ri. Më pas Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një kryeministër të ri. Në të njëjtën kohë në draft saktësohet mandati 5 vjet me të drejtë riemërimi të kryeprokurores. 

ndryshimet e propozuara nga pd per kushtetuten

Neni 87 në Kushtetutë
1. Kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të marrë pjesë në më shumë se një grup propozues.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi me një shumicë prej tre të pestave të të gjithë anëtarëve të tij.
3. Kur në votimin e parë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve nga kryerja e votimit të parë bëhet një votim i dytë.
4. Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve bëhet një votim i tretë.
5. Kur ka më shumë se dy kandidatë dhe asnjëri prej tyre nuk ka marrë shumicën e kërkuar, brenda 7 ditëve bëhet një votim i katërt ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave.
6. Në rast se edhe në votimin e katërt asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar, bëhet një votim i pestë.
7. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar, Kuvendi shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhjet e reja të përgjithshme.
8. Kuvendi i ri zgjedh presidentin sipas procedurës së parashikuar nga paragrafët 1 deri në 7 të këtij neni. Në rast se edhe Kuvendi i ri nuk e zgjedh Presidentin, ai shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhje të reja të përgjithshme.
9. Kuvendi pasardhës zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.
Neni 87, propozimi i PD
1. Kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më shumë se 20 deputetësh.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Zgjedhja e presidentit zhvillohet në dy raunde. Në raundin e parë zhvillohen deri në tre votime, ndërsa në raundin e dytë zhvillohen deri në dy votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës së zgjedhjes së tij. Secili nga votimet e tjera zhvillohen jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i raundit paraprijës.
3. Presidenti zgjidhet në raundin e parë kur në një nga tre votimet e tij, njëri nga kandidatët merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e dytë dhe të tretë mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
4. Kur asnjë nga kandidatët që u votuan në votimin e tretë nuk siguron shumicën e kërkuar, zhvillohet një votim i katërt. Për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se një kandidat, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.
Në votimin e katërt president zgjidhet kandidati që merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
5. Në rast se edhe pas votimit të katërt nuk është siguruar shumica e kërkuar për një kandidat zhvillohet një votim i pestë. Në këtë votim president zgjidhet kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
6. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja.
7. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.
Neni 88, pika 2 në Kushtetutë
2. Procedura për zgjedhjen e presidentit fillon jo më vonë se 30 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës.
Neni 88, pika 2, propozim i PD
2. Mandati përfundon në të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.
Pas pikës 2 shtohet pika 3
Procedurat për zgjedhjen e presidentit fillojnë jo më vonë se 35 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur, pas përfundimit të mandatit paraardhës, Kuvendi nuk ka zgjedhur presidentin, funksionet e tij ushtrohen sipas pikës 1 të nenit 91.
Neni 93 në Kushtetutë
Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.
Neni 93, propozim i PD
Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete. Dekretet e presidentit kundërfirmohen nga kryeministri ose ministri përkatës, me përjashtim të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit në përputhje me nenet 87 dhe 104.
Neni 104 në Kushtetutë
1. Në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri refuzohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast presidenti emëron kryeministrin e ri.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e tij.
Neni 104, propozim i PD
1. Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, kryeministri brenda 48 orësh nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.
2. Presidenti shpërndan Parlamentin brenda 10 ditësh nga marrja e kërkesës.
Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit sipas nenit 105.
Neni 105 në Kushtetutë
1. Në rast se mocioni i mosbesimit i paraqitur nga një e pesta e deputetëve miratohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast presidenti emëron kryeministrin e ri.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë kryeministrin e ri, presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e tij.
Neni 105, propozim i PD
1. Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit në detyrë, duke propozuar një kryeministër të ri.
2. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve një kryeministër të ri.
3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e kryeministrit në detyrë dhe emërimin e kryeministrit të zgjedhur, jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›