Burg pa afat për "oficerin e policisë"
Gjykata e Gjirokastrës ka dhënë masën e burg pa afat për Pëllumb Kazazin, policin e rremë që u kap në Kakavijë teksa tentonte të kalonte kontrabandë 16 televizorë plazma. Ndërkohë, doganieri Agron Basha, i cili u arrestua në të njëjtën ditë me tregtarin nga Tirana për akuzën e "shpërdorimit të detyrës", është liruar në sallën e gjyqit. Ndaj tij është lënë kushti i lënies në dispozicion ndaj organeve të drejtësisë. Në seancën gjyqësore që u zhvillua dje në Shkallën e Parë të Gjyqësorit në Gjirokastër, organi i akuzës ka paraqitur provat konkrete dhe është kërkuar që kontrabandisti Kazazi që shtirej si polic i krimit ekonomik të qëndronte në arrest në burg pa afat. Ndërkaq, ka qenë më e lehtë për doganierin e turnit, Agron Basha, për të cilin është marrë masa e detyrimit për paraqitje nga ana e kryesuesit e seancës. Vendimi i gjykatësit nuk është kundërshtuar nga prokurori i çështjes. Ndërsa Kaziut do t‘i duhet të qëndrojë në dhomat e paraburgimit deri në zhvillimin e seancave të rregullta gjyqësore. Ndonëse avokati mbrojtës i tregtarit nga Tirana ka kërkuar që Kaziu të ndiqej penalisht në gjendje të lirë, trupi gjykues nuk ka qenë dakord me kërkesën e palës mbrojtëse. Kaziu përballet me akuzat e kontrabandës dhe përvetësimit të titujve dhe detyrës shtetërore. Pëllumb Kaziu u kap në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, pasi në makinën e tij, tip "Mitsubishi", me targë TR3737P, u sekuestruan 16 televizorë LCD, të cilët i kishte futur pa detyrime doganore nga dogana e Kakavijës. 37-vjeçari Kaziu qarkullonte shpesh në këtë aks rrugor me makinën e tij, që e mbante me xhama të zinj. Në momentin e arrestimit, atij i është sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një fenelinë blu, të cilën e mbante të ndezur mbi kabinë, si dhe një tabelë dore e policisë rrugore.