Topi, apel nga Burreli për drejtësinë: Ruani pavarësinë
Sistemi i drejtësisë ishte dje sërish në qendër të kritikave të Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Nga qyteti i Burrelit ku ka zhvilluar një takim me banorët e kësaj zone, kreu i shtetit kërkoi që drejtësia të ruajë pavarësinë e saj duke qëndruar larg politikës dhe të gjitha ndikimeve të tjera. Sipas kreut të shtetit, një nga sfidat më të mëdha për vendin është vendosja e sistemit të drejtësisë në pozicionin kushtetues që i takon dhe i pavarur totalisht nga të gjitha influencat, qofshin këto politike apo ekonomike. Ky institucion kaq i rëndësishëm, theksoi Presidenti, duhet të jetë në funksion të qytetarëve të thjeshtë në mënyrë që ai të bindet, se ne do të ndërtojmë në mënyrë definitive shtetin e së drejtës, shtetin që të jetë në funksion të qytetarëve. Duke iu referuar gjyqësorit, kreu i shtetit bëri thirrje edhe për rigjenerim në drejtim. Në vlerësimin e kreut të shtetit një sfidë tjetër shumë e rëndësishme e cila është pjesë e vëmendjes së institucioneve është edhe decentralizmi i pushtetit. "Gjatë këtyre viteve janë bërë hapa të rëndësishme përpara në këtë drejtim. Unë besoj që në të ardhmen më shumë vëmendje do të ketë edhe në zonën e Matit, sepse është një zonë vërtet e vogël, por nga ana tjetër ka resurse të mëdha", u shpreh Topi. Meqë jemi pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, Presidenti ka shfrytëzuar takimin më banorët e Burrelit për t‘u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që më 28 qershor të marrin pjesë masivisht në zgjedhje. Kusht paraprak, tha ai që të merrni pjesë është edhe pajisja me karta identiteti ndaj banorët nuk duhet ta neglizhojnë një gjë të tillë. "Unë ju bëj thirrje që të bëheni pjesë masivisht në këto votime dhe kusht paraprak që të merrni pjesë natyrisht që është pajisja me kartat e identitetit, që janë shumë të rëndësishme për çdo person. Duhet patjetër që të merrni pjesë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me administrimin e fateve tuaja, pastaj gjithsecili ka bindjet e veta politike", nënvizoi kreu i shtetit. Duke vlerësuar zonën e Matit, Presidenti nuk mund të linte pa përmendur edhe familjen e Zogut. Duke iu drejtuar qytetarëve matjanë ai deklaroi se "ju keni nxjerrë figura të ndritura në këtë zonë, patriotë, njerëz të ndershëm dhe besoj është rasti ta them që juve keni nxjerrë dhe Ahmet Zogun, i cili ka vendosur themelet e shtetit shqiptar". Presidenti është pritur në Mat nga zyrtarët më të lartë të këtij qarku, nga prefekti Xhafer Seiti dhe kryetari i Bashkisë Burrel, Skënder Lleshi. Këta të fundit e kanë informuar kreun e shtetit për problemet me të cilat përballet qyteti i Burrelit, duke u përqendruar kryesisht tek investimet që duhen kryer në infrastrukturë, bujqësi, industri etj. Topi gjatë këtij takimi ka folur edhe për qetësinë që i është kthyer këtij qyteti, pas trazirave të 1997 ku u shënuan një numër rekord vrasjesh. Ai kërkoi afrimin e shërbimit te qytetarët dhe apeloi për forcat politike që të sinkronizohen tek interesat e qytetarëve. Presidenti Topi e mbylli vizitën e tij në qytetin e Burrelit me një vizitë të shkurtër në spitalin e qytetit.