E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, arrestohet i dënuari në mungesë

Bie në prangat e policisë, pas shtatë vjetësh emigracioni, për të vuajtur dënimin e marrë në mungesë për shfrytëzim prostitucioni. Mësohet se 41-vjeçari Besnik Dervishi, nga fshati Sheq-Gajd, i Komunës së Poshnjes ishte dënuar në mungesë me pesë vjet heqje lirie, dënim që nuk e kishte kryer kurrë. Burime nga komisariati i policisë së këtij qyteti bëjnë me dije se rreth orës 22:30 të mbrëmjes së të enjtes, pas një operacioni të uniformave blu të Beratit, është bërë e mundur arrestimi i këtij shtetasi. Policia është sinjalizuar në mënyrë operative për kthimin e tij në fshatin e lindjes dhe pas urdhrit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit ka bërë të mundur prangosjen e Dervishit. Arrestimi është bërë për ekzekutimin e një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të këtij rrethi, dhënë në vitin 2002. Dervishi akuzohej për "shfrytëzim prostitucioni" të një bashkëfshatareje. Mësohet se ai i kishte premtuar fejesë vajzës me inicialet E.A, por sapo kanë shkelur në tokën italiane, ai e kishte nxjerrë në rrugë për të prostituuar. Në fund të vitit 2001, vajza kishte mundur të largohej nga "kthetrat" e tutorit të saj dhe sapo ka mbërritur në vendlindje ka ngritur padi ndaj Dervishit. Pas disa muajsh hetime në mungesë, çështja mbërrin në Gjykatën e Rrethit dhe Dervishi shpallet fajtor në mungesë. Vendim që atij do t‘i duhet ta vuajë tani, pas disa vitesh arrati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›