Kryekomunari i Levanit pengon çeljen e zyrës së kartave
Kryetari i Komunës së Levanit, Agim Qejvani, pengon hapjen e njërës nga zyrat e aplikimit të kartave të identitetit. Sipas kryekomunarit, pengesa ka ardhur si rezultat i mosmarrjes parasysh të propozimit të tij, për vendosjen e punonjësve operatorë. "Kam dërguar drejt Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjeve Civile, si dhe përfaqësuesve të firmës ‘Aleat‘ emrat e dy operatorëve që do të punonin në këtë zyrë. Emrat kanë qenë profesionistë dhe me të vërtetë ata që kam zgjedhur unë do të ishin mjaft rezultativë në atë që kërkohet. Në udhëzimet e mbërritura, shprehet qartë se e drejta e vendosjes së operatorëve është kompetencë e komunës. Por propozimi ynë, ndonëse i bërë në mënyrë zyrtare, nuk është marrë parasysh nga përfaqësuesit e firmës ‘Aleat‘. Përballë kësaj padrejtësie, ne si komunë dhe unë si kryetar i saj, kam vendosur të mos lejoj çeljen e zyrës së dytë",- u shpreh thënë kryetari i Komunës së Levanit, Agim Qejvani. Pas vendimit, ka reaguar prefekti i Fierit, Shahin Bejdaj, i cili ka thënë se çështja do t‘i delegohet gjykatës për zgjidhje. "Kryetari i komunës, Agim Qejvani, nuk duhet të pengojë në asnjë mënyrë procesin e pajisjes me karta të identitetit. Firma ‘Aleat‘ duhet ta ndjekë në rrugë ligjore këtë problem. Unë kam komunikuar personalisht me kryetarin e Komunës së Levanit, por prej tij kam marrë vetëm përgjigje negative. Atëherë le të vendosë drejtësia", - është thënë kreu i prefekturës. Por edhe pas kërcënimit për ndjekje penale, Qejvani është shprehur i vendosur për të mos lejuar çeljen e kësaj zyre, nëse nuk pranohen emrat e propozuar prej tij si operatorë. Në Komunën e Levanit ishte vendosur që të hapeshin dy zyra, por prej disa ditësh funksiononte vetëm njëra. Ndërkaq mësohet se në Fier procesi i aplikimit për letërnjoftimet e reja nuk është çelur ende në gjashtë njësi vendore të rrethit, përfshi këtu edhe Bashkinë e Roskovecit.