Avokati i Popullit: Hipoteka nuk mund të çregjistrojë pronën
Gjykata Kushtetuese mori dje në shqyrtim ankimimin e Avokatit të Popullit lidhur me ligjin për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme. Duke u nisur nga disa raste konkrete, kur subjektet juridike kanë humbur pronësinë e tyre vetëm me vendim të zyrës së regjistrimit, zyra e Avokatit të Popullit ka ankimuar disa nene të këtij ligji, të cilat i japin kompetencë kryeregjistruesit të anulojë të drejtën e pronësisë. Në argumentin e tij institucioni i Avokatit të Popullit shprehet se, kryeregjistruesi ka për detyrë të regjistrojë dhe jo të heqë të drejtën e pronësisë. Sipas Avokatit të Popullit, zyrat e regjistrimit të pasurive nuk mund të dalin mbi gjykatat. Në kërkesën e tij drejtuar Kushtetueses, thuhet se “ligji, nenet e të cilit kërkojmë të shfuqizohen si antikushtetues, parashikojnë procedura që prekin brutalisht parimin e sigurisë juridike, përkeqëson gjendjen ligjore të shtetasve duke iu hequr të drejtën e pronës së fituar para shumë viteve dhe të regjistruar. Nga ana tjetër, ky ligj nuk merr parasysh afatet e parashkrimit të padisë, neni 103 i Kodit Civil, dhe atë për fitimin e pasurisë së paluajtshme me parashkrim fitues. Parimi i sigurisë juridike preket përveç sa më lart, edhe me faktin se ligjit i është dhënë fuqi prapavepruese”. Në këtë rast, thotë Artur Lazebeu, drejtor kabineti në Avokatin e Popullit, kemi të bëjmë me tejkalim kompetencash, madje ndërhyrje edhe në të drejtën e pushtetit gjyqësorë. Pranë avokatit kanë mbërritur shumë ankesa të subjekteve fizike dhe juridike, të cilat shprehin shqetësim lidhur me vendimet administrative të marra nga hipoteka. Ky shfuqizim i ligjit për regjistrimin e pasurive, së bashku me udhëzimin e Këshillit të Ministrave për fshirjen e regjistrimeve, në rast mbivendosje nga hipoteka janë cilësuar si antikushtetuese nga avokati, ndaj kërkohet anulimi i tyre. Por Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e Avokatit të Popullit për të pezulluar këto nene të ligjit dhe udhëzimin deri në marrjen e një vendimi nga kjo gjykatë. Nga ana e saj, qeveria argumenton se ndryshimet ligjore janë ndërmarrë për të verifikuar ligjshmërinë e dhënies së titujve të pronësisë dhe për t’i dhënë fund abuzimeve të kryera në vite me pronat, kur për një pasuri rezultojnë deri në 6 pronarë. Sot të drejtën për të anuluar pronësinë e ka Prefekti, Agjencia e Pronave si dhe Hipoteka. Vendimet e këtyre institucioneve janë të ankimueshme në gjykatë, çka do të thotë zgjatje pafund e procesit.