E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritën me marrëveshje çmimin e bukës, gjobiten dy kompani

 

Gjobiten dy kompani nga Autoriteti i Konkurrencës. Nga hetimi i Autoritetit ka rezultuar se këto dy kompani në marrëveshje më njëra-tjetrën kanë fiksuar çmimin e shitjes së grurit. Duke qenë dy nga kompanitë më të mëdha në tregun e grurit dhe prodhimin e miellit, këto dy kompani kanë ndikuar kështu në rritjen artificiale të çmimit të bukës. për rrjedhojë autoriteti ka gjobitur ndërmarrjen “Bloja” sh.a, në shumën prej rreth 38.5 milionë lekë, dhe ndërmarrjen “Atlas” sh.a në shumën prej rreth  27.8 milionë lekë. “Autoriteti i Konkurrencës, duke pasur parasysh shqetësimin publik shprehur edhe përmes medias, lidhur me rritjen e çmimit të bukës gjatë vitit 2008, mori në konsideratë nivelin e konkurrencës në tregun e importit të grurit dhe prodhimit të miellit. Gjatë periudhës së hetimit, Autoriteti Konkurrencës ka kryer një sërë inspektimesh në ndërmarrje që veprojnë në këtë treg si dhe ka bashkëpunuar me institucione të ndryshme publike, për të siguruar të dhëna të nevojshme për këtë hetim. Nga hetimi rezultoi se ndërmarrjet “Atlas” Sh.a dhe “Boja” Sh.a, nuk kanë konkurruar në tregun e importit të grurit dhe prodhimit të miellit. Këto ndërmarrje kanë koordinuar sjelljen për sa i përket përcaktimit të çmimeve të tregtimit të produkteve përkatëse, si dhe kanë ndarë burimet e furnizimit. Si pasojë e kësaj sjelljeje, këto ndërmarrje kanë aplikuar çmime të njëjta të shitjes së grurit për prodhimin e bukës.  “Këto dy ndërmarrje kanë fuqi të ndjeshme në treg, thuhet në deklaratën e autoritetit. Por kjo është një marrëveshje e ndaluar, pasi pengon dhe kufizon konkurrencën e lirë dhe efektive në treg. “Marrëveshja e ndaluar është horizontale, pasi ndërmarrjet së bashku veprojnë në të njëjtin nivel tregu (në tregun e importit të grurit për bukë), dhe për shkak të integrimit vertikal të tyre ka sjellë pasoja në tregun e shitjes së grurit dhe të prodhimit e shitjes së miellit për prodhimin e bukës”, thuhet në deklaratë. Për këtë arsye Autoriteti ka gjobitur ndërmarrjen “Bloja” Sh.a, në shumën prej rreth 38.5 milionë lekë, dhe ndërmarrjen “Atlas” sh.a në shumën prej rreth 27.8 milionë lekë. “Në mënyrë që të nxitet konkurrenca e lirë dhe efektive në tregun e importit të miellit dhe prodhimit të bukës, Komisioni i Konkurrencës ka miratuar disa rekomandime që i drejtohen institucioneve të ndryshme publike. Konkretisht Komisioni i ka rekomanduar Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që të rishikojnë praktikat e çmimeve të referencës, si dhe të rivlerësimeve tatimore në tregun e importit të grurit, për efektet e mundshme që mund të sjellin në kufizimin e konkurrencës në treg”, theksohet në deklaratën për media.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›