E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, kompensimi shtyhet më 15 nëntor

 

BLEDAR HOTI

Shtyhet afati i ndarjes së fondit të ish-pronarëve për vitin 2009. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka bërë të ditur dje se shpërndarja e fondit edhe akorduar nga buxheti i shtetit do të realizohet më 15 nëntor të këtij viti. Shtyrja për afro një muaj komentohet nga ana e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, Genci Çelo për shkak të shtesës së fondit të akorduar nga Qeveria për kompensimin financiar të ish-pronarëve. “Meqenëse Qeveria na ka akorduar shtesën e fondit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara ne kemi vendosur që të shtyjmë afatin, me qëllim që të shohim edhe listën e personave të tjerë që do të përfitojnë”, u shpreh Çelo për “Panorama”. Sipas tij, AKKP-ja është në pritje të përcaktimit të vendimit nga ana e Ministrisë së Financave për mënyrën e përdorimit të këtij fondi. Në buxhetin shtesë të Qeverisë, AKKP-së i shkonte buxheti i kompensimin financiar në masën 1.7 miliardë lekë nga 600 milionë lekë që ishin në fillim. Çelo thekson në të njëjtën kohë se kjo shtesë pritet të rrisë ndjeshëm numrin e përfituesve, që kanë aplikuar për kompensimin financiar. Nëndrejtori i përgjithshëm i AKKP-së bën të ditur se nuk do të ketë ndonjë procedurë për rihapje të aplikimit, pasi do të përdoret lista e personave që ka aplikuar deri më 14 korrik. Pranë AKKP-së kanë aplikuar gjithsej 521 subjekte të shpronësuara, të cilat presin të përfitojnë nga kompensimi financiar. Nga ky procesi do të përfshihen edhe këto persona, që janë skualifikuar paraprakisht nga procesi fillestar për ndarjen e 600 milionë lekëve. Edhe pse nuk ka një shifër zyrtare të numrit të përfituesve, mendohet që me shtimin e fondit ky numër mund të shkojë në rreth 200 ish-pronarë. Sipërfaqja maksimale e përfitimit është deri në 200 metër/katrorë. Nga AKKP është përfunduar vlerësimi i kërkesave të subjekteve të shpronësuar për përfitimin nga fondi. Vendimi i fundit përfitues i vitit 2008 datonte 26 korrik 1995. Ndërsa sipas nëndrejtorit të AKKP-së, Genci Çelo ky vit shkon në qershor të vitit 1996. AKKP-ja shtyrjen e datës së shpalljes së fituesve e mbështeste edhe në vendimin e saj të marrë ditët e fundit. “Ne zbatim të ligjit,  “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” dhe VKM-së nr. 487, datë 06.05.2009, “Për përcaktimin e rregullave dhe kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, të pronareve, në të holla, për vitin 2009” dhe bazuar në nenin 60, të ligjit 8485, datë 12.05.1999, “Kodi i procedurave administrative”, njoftojmë të gjithë aplikuesit për kompensim në të holla, nga fondi në të holla i vitit 2009, se AKKP-së, me datë 14.10.2009, ka vendosur me vendimin e ndërmjetëm  nr. 535, dt. 14.10.2009, shtyrje me 30 ditë të afatit procedural të trajtimit dhe daljes me vendim përfundimtar për dosjet e kompensimit të vitit 2009”, thuhet në vendimin e AKKP-së të disa ditëve më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›