E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit: Ligji për Gjykatat Administrative ka shumë mangësi



Avokati i Popullit i ka kërkuar dy ditë më parë Kuvendit që të bëjë disa ndryshime dhe shtesa të nevojshme në ligjin “Për gjykatat administrative”. Një ndër kërkesat themelore të Avokatit të Popullit ishte ajo që lidhej me përfshirjen në gjykime të mosmarrëveshjeve që lidheshin me statusin e nëpunësit civil. “Edhe pse parashikimet e këtij projektligji garantojnë zhvillimin e procedurës së gjykimit administrativ me zgjidhjen e shpejtë të çështjes, nuk mund të shprehemi në të njëjtën mënyrë përsa i përket garantimit të ekzekutimit të vendimit gjyqësor administrativ në afat të arsyeshëm, fakt që në këto rrethana cenon zhvillimin e procesit të rregullt ligjor, veçanërisht lidhur me ekzekutimin e urdhrit të ekzekutimit. Sa më sipër, mendojmë dhe sugjerojmë që: Në pikën 2 dhe 3, të Nenit 4 të projektligjit, përcaktohet se: ‘Gjykatat administrative të shkallës së parë organizohen, së paku, në numër dhe për territor të barabartë me atë të gjykatave të apelit. Gjykata Administrative e Apelit e ka selinë në Tiranë’. Nga formulimi dhe përmbajtja e pikës 2 të Nenit 4, krijohet një koncept i paqartë minimalisht për numrin e gjykatave të apelit administrativ, pasi krijohet përshtypja se ato do të jenë disa, ndërkohë që si në pikën 1, apo në pikat 2 dhe 4 të të njëjtit nen të projektligjit, bëhet fjalë vetëm për një Gjykatë Administrative të Apelit me seli në Tiranë”, - thekson Avokati i Popullit në letrën dërguar Kuvendit.
Letra
Ngritja e gjykatave administrative është pritur nga të gjithë pozitivisht, por në thelb, projektligji, sipas juristëve të Avokatit të Popullit, ka mjaft probleme komplekse që e bëjnë të vështirë mbijetesën e tij. Avokati i Popullit, në një raport të përgatitur posaçërisht mbi këtë projektligj të dorëzuar tashmë në Kuvend, shtron disa probleme, të cilat duhet të përmirësohen me anë të ndërhyrjes. Sipas Avokatit të Popullit, projektligji i paraqitur ka si qëllim garantimin e të drejtave dhe interesave të ligjshme të personave nëpërmjet shqyrtimit gjyqësor efektiv të akteve dhe veprimeve administrative duke kontribuuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e përgjegjshmërisë së organeve të administratës publike dhe cilësisë së mirëqeverisjes. Ngritja e gjykatave administrative, edhe pse aktualisht paraqitet me disa probleme, vlen të theksohet se do të zgjidhë disa kontradikta që ka midis individit dhe shtetit. Më tej Avokati i Popullit shprehet se përsa i përket frymës dhe parimeve të projektligjit, ato janë në përputhje me standardet europiane dhe përpjekjet në harmonizimin e parimeve të përgjithshme të kontrollit gjyqësor të veprimtarisë së administratës publike. Konkretisht, vendet europiane po harmonizojnë këto parime, të cilat lidhen ndër të tjera me shqyrtimin gjyqësor nga një gjykatë e krijuar me ligj, e pavarur dhe e paanshme, një Gjykatë Administrative apo pjesë e juridiksionit të përgjithshëm, parashikimi i ankimimit të vendimit gjyqësor mbi aktin administrative në një Gjykatë Administrative më të lartë brenda një periudhe të arsyeshme.
Kritikat
Projektligji në fjalë parashikon një sistem të përzier, zakonisht i praktikuar në vende të vogla të Europës Lindore, nëpërmjet krijimit të Gjykatës Administrative të shkallës së parë (me qendër në Tiranë dhe seksione në rrethe gjyqësore), Gjykatës së Apelit Administrativ si dhe Gjykatën e Lartë si shkallën më të lartë gjyqësore për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative. Organizimi specifik i seksioneve administrative në rrethe gjyqësore përsa i përket kompetencës tokësore dhe numrit të gjyqtarëve do të përcaktohet me dekret të presidentit. Por, Avokati i Popullit thekson se këtij procesi duhet t’i paraprinte një vlerësim mbi problemet e ndeshura nga sistemi aktual i juridiksionit administrativ (17 seksione të gjykatave të rretheve gjyqësore) dhe justifikimi mbi nevojën e ngritjes së gjykatave autonome administrative, përsa i përket ngarkesës së mundshme të çështjeve administrative, specializimin e gjyqtarëve përkatës dhe mbështetjen financiare për krijimin dhe forcimin e tyre.
Një tjetër çështje delikate që duhet të ishte reflektuar paraprakisht në projektligj apo relacion është vlerësimi i efektit që mund të ketë në aksesin në drejtësi të qytetarëve përqendrimi i seksioneve administrative, ndryshe nga ai aktual prej 17 seksionesh që ka rezultuar joefikas deri më tani. Në përcaktimin e një numri të përshtatshëm seksionesh me juridiksion administrativ të shkallës së parë, duhet të ruhet një strukturë transparente dhe funksionale e sistemit gjyqësor në tërësi.

Shqipëria, i vetmi vend në Ballkan pa gjykatë administrative

Shqipëria është vendi i fundit në rajon që nuk ka ende gjykatën administrative, që të zgjidhë kryesisht mosmarrëveshjet mes biznesit dhe administratës shtetërore. Ngritja e një institucioni të tillë si pjesë e sistemit të Drejtësisë është dhe një nga kushtet që vendi duhet të plotësojë për anëtarësimin në BE. Një projektligj për ngritjen e këtij institucioni është duke u diskutuar në komisionet e përhershme të Parlamentit në Tiranë dhe po mbështetet dhe nga komuniteti i biznesit. Mungesa e një hallke të veçantë në sistemin e Drejtësisë, që zgjidh mosmarrëveshjet mes administratës shtetërore dhe biznesit, është konsideruar si shkak për krijimin e raporteve të vështira mes tyre. Organet e Tatim-Taksave, Doganat etj., në mjaft raste kanë gjobitur kompani, firma a individë. Një pjesë e penalizimeve janë kontestuar e refuzuar, duke ndjekur më pas rrugën gjyqësore. Nga komuniteti i biznesit ka pasur iniciativa e propozime që ashtu si në vendet BE-së, apo dhe ato fqinje të ngrihet gjykata administrative, si institucion i specializuar për çështje të tilla.
Ligji “Për Gjykatën Administrative” në Shqipëri hyn te ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar të votave, ose 3/5 e 140 deputetëve që ka gjithsej Parlamenti. Diskutimi dhe miratimi i tij me konsensus të gjerë është vetëm një aspekt, që i hap rrugë një procesi që ka dhe etapa të tjera. Synimi është që vendi të ketë një gjykatë administrative moderne, të ngjashme me atë që kanë vendet e BE-së. Mbështetës që në fazën e hartimit të ligjit për Gjykatën Administrative janë USAID-i dhe programi i BE-së në fushën e Drejtësisë, EURALIUS. Madje përfaqësia e USAID-it në Tiranë do të asistojë dhe procesin e ngritjes konkrete të kësaj gjykate.

Problemet e gjetura në ligjin “Për Gjykatën Administrative”

Në Nenin 41 të projektligjit, përcaktohet se:
“Nuk lejohet ankim ndaj vendimeve të Gjykatës Administrative që shqyrtojnë padi për kundërshtimin e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se tridhjetëfish i pagës minimale në shkallë vendi”. Ky përcaktim duket i paargumentuar dhe i pabazuar, pasi edhe në relacionin që është shtruar në fund të projektligjit të mëparshëm mbi bazën e të cilit ka dalë ky projektligj tashmë në diskutim, nuk është argumentuar mbi çfarë baze përcaktohet kjo përllogaritje. Duke marrë anën logjike të kësaj shifre, rezulton se nëse paga minimale e përcaktuar me VKM-të në Shqipëri tani kap shifrën prej 15 000 lekësh të rinj, atëherë tridhjetëfish kap shumën 450 000 lekësh të rinj, e cila është një shumë e madhe për të qenë e pranueshme për standardin e jetesës në vendin tonë. Më logjike është që kjo shumë të caktohet direkt me këtë ligj, me shumë fikse, sepse ndryshe në çdo rast gjykata do të duhej të merrte dokumente se sa është paga minimale ne Shqipëri.
Neni 49 i projektligjit, te kreu X, dispozita kalimtare duhet të ndryshojë përsa i përket përcaktimit të kohës së fillimit të funksionimit të gjykatave administrative për shkak të kohës së miratimit dhe hyrjes në fuqi të këtij ligji. Duhen lënë të paktën 6 muaj për të bërë gati personelin, infrastrukturën etj.
Në parashikimet e bëra në Nenin 44 e vijues të projektligjit nuk përcaktohet nëse vendimi i Gjykatës Administrative është titull ekzekutiv, sikurse ndodh në Nenin 510 të KPrC, ku përcaktohet se: “Janë tituj ekzekutivë: Vendimet civile të gjykatës që kanë marrë formë të prerë, vendimet e dhëna prej tyre për sigurimin e padisë, si dhe për ekzekutimin e përkohshëm”.
Megjithatë, kjo nënkuptohet nga përcaktimi i kryer në Nenin 44/1 të projektligjit (sikurse ndodh me përcaktimin e kryer në Nenin 511 të KPrC), ku përcaktohet se: “Vendimi i Gjykatës së Apelit apo i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, i paankimuar brenda afatit, vihet në ekzekutim me lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë”.

Shkëputur nga letra që Avokati i Popullit i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›