E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PD-së, grupimet nxjerrin “dhëmbët” për dominimin e sekretariatit

Mbledhja zgjat 15 minuta, flet vetëm kryetari Berisha. Zgjedhjet në PD-së, Kuvendi mblidhet më 12 dhjetor

Eljona Ballhysa
Demokratët mblodhën dje Kryesinë Qendrore të Partisë. Në një mbledhje që ka zgjatur vetëm 15 minuta, gjatë së cilës anëtarët kanë dëgjuar fjalimin e kryetarit Sali Berisha, burimet bëjnë të ditur se është ndjerë ndarja në grupime e Kryesisë. Sipas burimeve, grupimet që po përpiqen të dominojnë Kryesinë e re të Partisë Demokratike i kanë ndërprerë komunikimet me njëra-tjetrën. Kjo situatë e “ftohtë” ka mbizotëruar në mbledhjen e djeshme të Kryesisë, ku anëtarët nuk kanë guxuar as të përshëndeten me njëri-tjetrin. Megjithëse PD-ja tani shënon një mandat të dytë në pushtet, ende vazhdojnë “përplasjet” në parti, të cilat, këto katër vite, duket se janë mbuluar disi dhe nuk kanë qenë në vëmendje për shkak të qeverisjes.
Lufta
Por, lufta për dominimin e Kryesisë së re dhe sekretariatin, që do të zgjidhen në zgjedhjet që do të zhvillohen në Kuvendin Kombëtar që do të mblidhet në datën 12 dhjetor, duket se po i nxjerr në sipërfaqe debatet brenda selisë blu. Zgjedhjet e 12 dhjetorit do të tregojnë se kush do ta dominojë Kryesinë dhe drejtimin e PD-së pas kryetarit Berisha. Njëri grupim, gjatë këtij muaji, deri në mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, do të përpiqet në të gjitha mënyrat të vazhdojë të qëndrojë në Kryesi. Ndërsa grupi tjetër do të synojë marrjen e sa më shumë posteve në Kryesi dhe sekretariat. Një rëndësi të veçantë marrin postet e sekretariatit për shkak se këto krijojnë Kryesinë e vogël, e cila së fundi ka vërtetuar se është organi më i lartë vendimmarrës në PD, pavarësisht se nuk ekziston si strukturë në statutin e partisë. E rëndësishme dhe interesante pritet të jetë gara në veçanti për postin e sekretarit të Përgjithshëm. Sipas burimeve, dy janë kandidatët potencialë për këtë post. Një vazhdon të jetë sekretari aktual, Ridvan Bode, i dyti është kandidati që gëzon mbështetjen e grupit të nënkryetares Topalli, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Emri i tij është lakuar kohë më parë, qëkur Olldashi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së së Tiranës. Burimet bënë të ditur se një nga arsyet e largimit të tij nga ky post ishte pikërisht ambicia për postin e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Një tjetër kandidaturë është edhe ajo Arben Imamit, por jo me të njëjtën peshë si dy të parët për shkak se nuk ka pas vetes një grup të caktuar anëtarësh të Këshillit Kombëtar. Megjithatë, kjo do të përcaktohet gjatë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, ku pritet të ketë edhe surpriza.
Zgjedhjet
Gjatë mbledhjes së djeshme, Kryesia e Partisë Demokratike vendosi të thërrasë Kuvendin Kombëtar të kësaj partie më 12 dhjetor të këtij viti. Kuvendi mblidhet 8 muaj me vonesë për shkak se në bazë të Statutit duhej të ishte mbledhur që në muajin prill. Për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare demokratët zhvilluan një kuvend elektoral. Ndërsa më 12 dhjetor do të zhvillojnë Kuvendin Kombëtar, i cili do të rimandatojë Berishën në postin e kryetarit të PD-së. Selia blu njofton se ky Kuvend Kombëtar Zgjedhor do të jetë akti final i procesit të analizave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, si dhe i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në kuvendet e degëve. Këto analiza do të shoqërohen me të gjitha korrigjimet e nevojshme në drejtimin e strukturave lokale për të mënjanuar defektet e mundshme të vërejtura në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryesia e Partisë Demokratike, në plotësim të detyrimeve statutore, vendosi ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë në drejtimin e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi, si dhe të Komisionit për Rishikimin e Statutit, të kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode. “Kryesia e Partisë Demokratike ka bindjen e plotë se ky proces zgjedhor do të fuqizojë më tej Partinë Demokratike në të gjitha nivelet dhe përbën një moment të rëndësishëm të bazës elektorale dhe përfaqësimit publik të Partisë Demokratike”, - është shprehur zëdhënësja për shtyp e PD-së, Erla Mëhilli.

Sekretariati aktual

Ridvan Bode
Sekretar i Përgjithshëm
Astrit Patozi
Nënkryetar
Jozefina Topalli
Nënkryetare
Ilir Rusmali
Sekretar për Çështjet Ligjore
Ferdinand Poni
Sekretar për Pushtetin Lokal
Gerti Bogdani
Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë
Ilir Bano
Sekretar i Burimeve Njerëzore
Flamur Noka
Sekretar Organizativ
Gent Strazimiri
Sekretar për Partneritet
Edmond Spaho
Sekretar për Ekonominë

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›