Manipulimet në zgjedhje, PS-ja merr në konsideratë paditë në Prokurori
Shaban Sulçe
Partia Socialiste po merr gjithnjë në konsideratë mundësinë e depozitimit të kallëzimeve penale për të gjithë ata persona që janë bërë pjesë e mekanizmave për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Selia rozë nuk e përjashton mundësinë që të padisë në Prokurori të gjithë personat që vunë dorë mbi votat, manipuluan zgjedhjet dhe abuzuan me detyrën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Partia Socialiste duket se do të ndjekë të njëjtën rrugë ligjore, ashtu edhe si Partia Demokristiane. Depozitimi i padive në Prokurori pritet të bëhet në kushtet kur maxhoranca refuzon të hapë kutitë e votimit, si dhe në kushtet kur socialistët vazhdojnë të jenë të vendosur për të bojkotuar Kuvendin. Pritet të ketë një numër të madh kallëzimesh penale në Prokurori, të cilat do të shoqërohen edhe me provat që disponon Partia Socialiste ndaj personave që u bënë pjesë e procesit të manipulimit të zgjedhjeve.
Paditë
Në shënjestër të kallëzimeve penale do të jenë komisionerët e komisioneve të numërimit të votave, drejtuesit e drejtorive të burgjeve, të cilët dhanë leje abuzive për të burgosurit gjatë fushatës, si dhe zyrtarët e administratës, të cilët shpërdoruan funksionet publike për qëllimet elektorale të Partisë Demokratike. Kallëzimet penale ndaj komisionerëve përbëjnë edhe çështjen kryesore të procedimit ligjor që pritet të ndjekë Partia Socialiste. Mësohet se paditë do të bëhen jo vetëm në drejtim të komisionerëve të PD-së, por edhe në drejtim të atyre të Partisë Socialiste. Kjo pasi në selinë rozë flitet gjithnjë e më tepër se shumë prej komisionerëve të saj janë detyruar që të firmosin në procesverbalet e qendrave të votimit për tjetërsimin e rezultatit, pasi u janë ofruar shuma të konsiderueshme financiare. Kjo është edhe arsyeja që Partia Socialiste insiston për hapjen e kutive të votimit, pasi sipas saj, në kutitë e votimit gjendet një tjetër rezultat nga ai i sigluar në procesverbale.
Gjithashtu, kallëzime penale pritet të merren ndaj zyrtarëve të lartë të Drejtorisë së Burgjeve, të cilët, sipas Partisë Socialiste, abuzuan me detyrën gjatë fushatës duke nxjerrë nga burgu të dënuar të rrezikshëm, të cilët u përdorën për qëllimet elektorale të partisë në pushtet. Një tjetër kategori për të cilën pritet të ketë kallëzime penale është ajo e zyrtarëve të administratës shtetërore, që, sipas Partisë Socialiste, ekzistojnë prova se kanë shpërdoruar detyrën dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë duke vënë në shërbim të fushatës së PD-së automjetet e institucioneve.
Precedenti
Precedenti i parë i kallëzimit në Prokurori të manipuluesve të zgjedhjeve të 28 qershorit mban firmën e Partisë Demokristiane. PDK-ja, e drejtuar nga Nard Ndoka, depozitoi pak ditë më parë në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzime penale ndaj anëtarëve të grupit të numërimit të votave në qarkun e Shkodrës. Shtatë komisionerët tashmë do të përballen me akuzat e shkeljes së ligjit elektoral. Në kallëzimin e depozituar në Prokurori, personat në fjalë akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zgjedhore që kanë sjellë ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve. Shtatë anëtarët e grupit të numërimit të votave në katër qendra votimi në Shkodër e kanë nxjerrë PDK-në me zero fletë votimi, gjë që nuk pranohet nga PDK-ja, e cila disponon prova se është votuar në këto qendra. “Në datën 28.06.2009 janë zhvilluar zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Nga ana e të kallëzuarve, anëtarë të grupit të numërimit të votave, janë përpiluar tabelat e rezultateve të qendrave përkatëse të votimit. Sipas këtyre tabelave ka rezultuar që Partia Demokratike të ketë marrë 161 vota në QV Nr. 0083, 180 vota në QV Nr. 0101, 327 vota në QV Nr. 0255 dhe 246 vota në QV Nr. 0294, ndërsa PDK-ja të këtë marrë zero vota në QV Nr. 0083, zero vota në QV Nr. 0101. Nga verifikimet e kryera në dokumentacionin zyrtar dhe nga rinumërimi i votave ka rezultuar që shifrat e deklaruara në procesverbal janë të rreme. Konkretisht, janë shkruar 138 vota më tepër për Partinë Demokratike dhe 22 vota më pak për PDK-në. Verifikime të mëtejshme, të kryera nga përfaqësues të PDK-së, kanë vërtetuar përkundrejt dokumentacionit të saktë ligjor shpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e rezultatit të zgjedhjeve”, - shkruhet në kallëzimin penal të bërë nga Partia Demokristiane.
KE-ja kërkoi vënien para ligjit të dhunuesve të administratës
Autoritetet që ushtruan presion ndaj administratës publike gjatë fushatë së zgjedhjeve duhet të identifikohen dhe të përballem me ligjin. Kjo ka qenë kërkesa që ka ardhur nga Komiteti Ad Hoc i Këshillit të Europës në fund të muajit shtator, menjëherë pas raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ky komitet publikoi në datën 21 shtator një raport prej rreth 20 faqesh, i cili konstatonte se “është e papranueshme për një vend anëtar të KE-së që ta shpallë rezultatin e zgjedhjeve disa javë pas përfundimit të votimeve”. Raporti është përfunduar më datë 16 shtator dhe është firmosur nga Korien Jonker, përfaqësuesja e Strasburgut, e cila ishte pjesë e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.
Presionet ndaj administratës dhe vonesat në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, - janë dy ndër problemet më shqetësuese që ka ngritur grupi i Këshillit të Europës që monitoroi zgjedhjet e 28 qershorit. “Komiteti Ad Hoc konstaton si shqetësuese dhe të papranueshme që të njëjtat parregullsi vazhdojnë të përsëriten nga një proces zgjedhor në tjetrin, të tilla si rastet e keqpërdorimit të burimeve administrative. Nëpunësit publikë, mësuesit e shkollave dhe personeli mjekësor, kur ata mbështetën kandidatët e opozitës, veçanërisht në zonat rurale, u kërcënuan me humbjen e vendeve të punës. Në lidhje me këtë, Komiteti Ad Hoc fton zyrtarët e partive politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për të ngritur një grup të përbashkët dhe për të shqyrtuar të gjitha rastet e presionit të ushtruar mbi njerëzit gjatë fushatës zgjedhore dhe për të nxjerrë përgjegjësitë për shkelësit e ligjit zgjedhor”, - thuhej në këtë raport.
26 Tetor 2009