Ministeriali i NATO-s, Shqipëria angazhohet për ndërtimin e 8 shkollave në Afganistan
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, mori pjesë në Ministerialin e NATO-s, i cili u zhvillua në Bratislavë të Sllovakisë me 22-23 tetor. Punimet e Ministerialit zgjatën dy ditë dhe ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s diskutuan tri çështje kryesore: Afganistani, mbrojtja raketore dhe transformimi ushtarak. Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, mbajti fjalën e tij gjatë punimeve të Ministerialit. Në përfundim të Ministerialit ai u shpreh se Shqipëria, në kuadër të angazhimit në Afganistan, do të vazhdojë të japë kontribute të vlerësueshme duke mbajtur kompaninë e ushtarakëve që ka atje dhe do të shtojë edhe një skuadër me 20 mjekë. “Do të ngremë tetë shkolla dhe do të presim duke filluar nga viti 2010, 100 studentë afganë që do të përfitojnë bursë studimi në Shqipëri”. Ministri Imami, duke iu referuar edhe raportit të gjeneralit Mekristal, tha se raporti dhe përvoja e këtyre viteve tregon se ka nevojë për një qasje më gjithëpërfshirëse në mënyrë që të zgjidhen problemet afatgjata. Vendi pritës i këtij ministeriali shumë të rëndësishëm ishte Bratislava e Sllovakisë. Delegacionet e vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën me 22 tetor në Bratislavë dhe fillimisht për ta u ofrua një mbrëmje kulturore në Teatrin Kombëtar të Sllovakisë, ku u shfaqën pjesët më të mira të Sllovakisë, duke përfshirë, traditën, arkitekturën, qendrat historike, folkun e deri te muzika. Fillimisht përshëndeti ministri i Mbrojtjes i vendit pritës, ndërsa ai u pasua nga një përshëndetje e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Më pas ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën në një darkë të gjatë pune, ku janë diskutuar tri çështjet kryesore të Ministerialit. Punimet rifilluan mëngjesin e 23 tetorit, ku fjalën e hapjes së seancës e mbajti sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, ndërsa më pas janë diskutuar çështjet sipas radhës. Seanca është pasuar më tej me një drekë pune ku përpos ministrave të vendeve anëtare të NATO-s merrnin pjesë dhe përfaqësues të vendeve dhe organizmave partnere.
26 Tetor 2009