Tahiri: “Berisha të dorëzojë dy ministrat e pandehur që fshihen pas imunitetit”
Partia Socialiste ka reaguar dje në lidhje me debatin për heqjen e imunitetit të deputetëve. Deputeti socialist, Saimir Tahiri, kërkoi dje në një konferencë për shtyp që kryeministri Berisha t’i bindet ligjit dhe t’i dorëzojë Drejtësisë dy ministrat e tij të pandehur (Fatmir Mediu e Lulëzim Basha), të cilët, sipas Tahirit, po fshihen pas imunitetit. Sipas Tahirit, në Shqipëri nuk mund të ketë rezultate të suksesshme në luftën kundër korrupsionit në rast se kjo luftë nuk është efikase, duke filluar që nga ministrat e kabinetit qeveritar. Deputeti socialist përmendi gjithashtu edhe pjesën e Progres-Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili përmbante nota negative për qeverinë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. “Raport-Progresi i Komisionit Europian në tre vitet e fundit e konsideron korrupsionin një fenomen gjerësisht të përhapur dhe një problem veçanërisht serioz. Ndërkohë që shenja e vetme që ka lënë Sali Berisha në luftën e tij të shtirur ndaj këtij fenomeni është numri i tij i celularit. Ne nuk kemi më asnjë dyshim se një i korruptuar nuk mund të luftojë korrupsionin. Nuk ka asnjë dyshim se kjo maxhorancë është përgjegjëse për mbjelljen e kulturës së pandëshkueshmërisë duke strehuar pas imunitetit parlamentar dhe karriges së ministrit dy të kërkuar nga Drejtësia, pikërisht për korrupsion. Ka ardhur koha që Sali Berisha t’i bindet ligjit njëlloj si të gjithë shqiptarët e ndershëm. Të dorëzojë menjëherë para Drejtësisë 2 ministrat e tij që fshihen pas imunitetit parlamentar dhe të marrë masa të menjëhershme për të luftuar korrupsionin, duke e filluar nga vetja, familja e tij dhe shërbëtorët e oborrit. Kjo është mënyra e vetme për t’u treguar shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë vullnetin për të luftuar korrupsionin”, - tha deputeti i PS-së, Saimir Tahiri.
26 Tetor 2009