E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi, të enjten do të betohet për mandatin e deputetit



Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Shpëtim Idrizi, pritet të hyjë zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë. Idrizi, aktualisht kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, do të marrë pjesë në seancën e ditës së enjte në Kuvend, ku do të bëjë betimin dhe do të marrë zyrtarisht mandatin e deputetit. Pjesëmarrja në Kuvend e Idrizit do të bëjë që Partia më e re politike, PDU-ja, të ketë dy deputetë në radhët e saj. Përveç Idrizit, PDU-ja do të përfaqësohet në Kuvend edhe nga deputeti tjetër, Dashamir Tahiri, i cili, ndonëse fitoi mandatin si përfaqësues i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, u largua nga kjo forcë politike për të themeluar PDU-në. Tahiri do të jetë nënkryetar i PDU-së, ndërsa Idrizi kryetar i saj. Idrizi u largua nga Partia Socialiste pak kohë më parë, duke bërë që Grupi Parlamentar socialist tashmë të ketë në përbërjen e tij 63 deputetë.

Beqja: “Të gjithë sektorët jetikë të ekonomisë janë në krizë”

Partia Socialiste shpreh sërish shqetësim serioz në lidhje me situatën ekonomike të vendit. Deputeti socialist, Ilir Beqja, tha se të gjithë sektorët e biznesit dhe sipërmarrjes në vend janë në krizë dhe shumica e bizneseve janë duke falimentuar për shkak të keqmenaxhimit të situatës ekonomike nga ana e qeverisë. “Javë pas jave raportohet se shumë sipërmarrje mbyllin aktivitetin apo shumë të tjera e pezullojnë përkohësisht pranë administratës tatimore. Bilanci tregtar vazhdon të përkeqësohet, ndërsa ministri i Bujqësisë raportonte para pak ditësh se më shumë se 2/3 e fermave shqiptare nuk arrijnë të dalin në treg. Shoqata e Ndërtuesve raporton për bllokim të sektorit të ndërtimit dhe se buxheti i shtetit nuk është në gjendje të paguajë situacionet e punëve publike që Sali Berisha i filloi nën ethet elektorale. Me sa duket edhe rritja e turizmit siç pretendohet nga qeveria nuk solli as më shumë punësim, as më shumë qarkullim të mallrave e shërbimeve, as më shumë fitim për biznesin e vogël dhe sipërmarrjet, as më shumë të hyra në buxhetin e shtetit. Kjo gjendje e rënduar e ekonomisë pasqyrohet edhe në realizimin e të hyrave fiskale të 9-mujorit të vitit 2009. Tashmë u bë e zakonshme që administrata tatimore dhe doganore nuk janë të afta mbledhin të ardhurat e programuara”, - deklaroi Beqja. Ai përmendi gjithashtu edhe rritjen e frikshme të deficitit buxhetor. “I vetmi zë në buxhetin e shtetit që është rritur ndjeshëm është deficiti buxhetor. Deficiti buxhetor është 515 milionë dollarë dhe është 4 herë më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2008. Nën ethet elektorale të 28 qershorit Sali Berisha jo vetëm që inauguroi kantiere pa pasur para, por në shërbim të krimit elektoral vuri të gjithë administratën shtetërore. Prandaj shpenzimet operative të mirëmbajtjes janë 27% më të larta se një vit më parë”, - tha Beqja.

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›