E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja projekton organizimin e protestës së madhe të 20 nëntorit



Shaban Sulçe
Në Partinë Socialiste kanë nisur përgatitjet për organizimin dhe marrjen e masave për protestën e madhe të 20 nëntorit, e cila do të zhvillohet në Tiranë dhe ku në të do të kërkohet hapja e kutive të votimit. Nga Partia Socialiste, por edhe nga partitë e tjera opozitare, kjo protestë është konsideruar tejet e rëndësishme, madje më e rëndësishme sesa tre protestat e organizuara deri tani nga socialistët në Tiranë, Berat dhe Shkodër. Për këtë arsye, socialistët janë duke planifikuar një organizim të rëndësishëm, për të siguruar dhe garantuar një pjesëmarrje sa më masive në protestën e 20 nëntorit.

Organizimi
Mësohet se në fillim të javës së parë të muajit nëntor, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të zhvillojë disa takime të posaçme në vazhdën e organizimit të protestës së 20 nëntorit. Takimi i parë do të jetë me krerët e partive opozitare, të majta dhe të djathta, ku do të ketë diskutime për detajet e protestës. Gjithashtu, Rama pritet të ketë një takim me kryetarët e PS-së në rrethet e vendit, të cilëve do t’u kërkojë që të garantojnë një pjesëmarrje sa më të madhe në këtë protestë. Një takim i ngjashëm do të jetë edhe ai me deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Deputetëve dhe kryetarëve të degëve do t’u kërkohet që të bashkëpunojnë ngushtë për të siguruar që në këtë protestë të marrin pjesë sa më shumë anëtarë dhe mbështetës të PS-së në zonat e tyre elektorale.

Thirrja
Gjatë protestës të organizuar dy ditë më parë në qytetin e Shkodrës, kryesocialisti Edi Rama u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mbështesin fuqishëm protestën që do të organizojë opozita në datën 20 nëntor në Tiranë. Rama e cilësoi protestën e 20 nëntorit si një ditë historike dhe tha se protesta për hapjen e kutive të votimit do të jetë një protestë për të garantuar lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. “20 nëntori është një ditë e shënuar në këtë përpjekje historike, për t’u ndarë nga një traditë e shëmtuar që arriti kulmin më 28 qershor. Më 20 nëntor, jo vetëm ju që jeni këtu, por së bashku, të gjithë, me fqinjët, miqtë tuaj, me të afërmit dhe së bashku me të gjithë ata që mund të lajmëroni, duhet të vini me çdo mjet në Tiranë, në sheshin ‘Skënderbej’, për një manifestim të paharrueshëm, në emër të lirisë që na e ka dhënë jo Sali Berisha, por që na e ka dhënë Zoti dhe e drejta jonë e fituar, në një përpjekje kundër një diktature, e cila nuk mund të rikthehet si hije në rrugën tonë. Më 20 nëntor duhet të vini të gjithë në Tiranë, për të vijuar të kërkojmë hapjen e kutive të votimit, duke qenë të vetëdijshëm se duke u hapur ato kuti, kemi hapur rrugën e zhvillimit të vendit, rrugën e daljes nga varfëria, kemi hapur rrugën e fitores së betejës me papunësinë dhe korrupsionin. Kemi hapur rrugën e ndarjes njëherë e përgjithmonë nga çdo lloj sundimi, për të krijuar në Shqipëri kushtet e një regjimi dhe për t’i detyruar shqiptarët, me hir apo me pahir, për të jetuar në atë regjim. Sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë lëvizje të lirë nëse nuk hapen kutitë, sepse Sali Berisha është jo vetëm i paaftë, por edhe i painteresuar fare që t’u hapë shqiptarëve lëvizjen e lirë. Kjo është arsyeja pse sot kemi ngelur në fund”, - do të deklaronte në protestën e Shkodrës kryetari i PS-së, Edi Rama.

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›