E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit: Ndaloni fëmijët në fushata

Avokati i Popullit i kërkon ministrit të Arsimit të marrë masa në prag të zgjedhjeve. Ermir Dobjani: “Të miturit nuk kuptojnë, po përdoren si element dekorativ. 

TIRANE- Të ndalohet pjesëmarrja e fëmijëve në mitingje elektorale”. Ky është rekomandimi që bën Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, në prag të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Pasi ka vërejtur me shqetësim pjesëmarrjen masive të fëmijëve në mitingjet e partive të ndryshme politike, Dobjani i rekomandon kreut të ministrisë së Arsimit, Fatos Beja, të marrë masa për zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi. Sipas tij, Beja duhet të nxjerrë një urdhër që, drejtoritë arsimore të ndalojnë përdorimin e shkollave dhe pjesëmarrjen e nxënësve dhe të mësuesve në mitingjet elektorale të partive politike të vendit, gjate orarit të mësimit. “Nuk duhet harruar që fëmijët nuk kanë pjekurinë intelektuale, mendore apo fizike njësoj si të rriturit, dhe shpesh as vetë ata nuk e kuptojnë qëllimin e këtyre organizimeve apo mitingjeve”, - thekson Dobjani në rekomandimin e tij.
Inspektorët e Avokatit të Popullit që prej vitit 2003 kanë vërejtur pjesëmarrje aktive dhe masive të fëmijëve me nxitjen e të gjitha partive politike në fushatat elektorale. Që prej gjashtë vitesh me radhë, Dobjani ka rekomanduar që në kodet elektorale të miratohet një dispozitë, me qëllim që të ndalohet pjesëmarrja e fëmijëve në mitingje dhe aktivitete të tjera elektorale. Por, ky rekomandim nuk është përfshirë në Kodin e ri të miratuar në vitin 2008. Në prag të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, sipas Dobjanit është konstatuar përdorimi i shkollave dhe fëmijëve në aktivitete politike me karakter partiak. “Vërejmë forma të ndryshme të përfshirjes së fëmijëve si element “dekorativ” apo për qëllime simbolike për të rritur numrin e pjesëmarrësve në aktivitete”, - vëren me shqetësim Dobjani
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›